KRYEFAQJA » LAJME » ARRSH: Qarkullimi normal, por kujdes nga shiu dhe dëbora

ARRSH: Qarkullimi normal, por kujdes nga shiu dhe dëbora

Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi të mërkurën se në të gjithë territorin e Shqipërisë kanë rinisur rreshje shiu dhe dëbore, por qarkullimi i mjeteve kryhet normalisht në të gjitha akset rrugore kombëtare.
ARRSH-ja informon se në Shkodër, në të gjitha akset kontraktorët po punojnë për pastrimin e gurëve dhe materialeve të rëna në rrugë nga shirat.
Në Peshkopi kanë filluar rreshje dëbore, por që nuk kanë sjellë probleme në qarkullim. Në aksin Kukës – Bushtricë ka një shkarje masive të trupit të rrugës, si rrjedhim qarkullimi kryhet me një kalim.
Në rajonin qendror, Tiranë, aksi Qafë Priskë – Shëngjergj, vazhdon të qarkullohet me një kalim. Në afërsi të TEG, ka një dëmtim të murit mbajtës dhe gjendja po mbahet në monitorim.
Në Qarkun e Elbasanit punohet nga kontraktorët për pastrimin e akseve nga dherat e gurët në rrugë dhe qarkullimi bëhet normalisht.
Në Korçë, aksi Boboshticë – Dardhë, ka prani bore, 3 – 4 cm dhe borëpastrueset janë në aktivitet.