KRYEFAQJA » LAJME » Arsimi profesional drejt rigjallërimit

Arsimi profesional drejt rigjallërimit

Qeveria shqiptare po synon të gjallërojë arsimin profesional. Një nga mënyrat që ajo ka zgjedhur është binjakëzimi i shkollave profesionale me simotrat më të mira europiane. Sipas ministrit të mirëqënies sociale dhe rinisë Blendi Klosi kjo do të mundësojë diploma të vlefshme jo vetëm për tregun shqiptar të punës, por edhe atë europian. Një hap i rëndësishëm është hedhur në qytetin e Vlorës ku qeveria zvicerane ka ofruar mbështetje për të gjitha shkollat profesionale si dhe binjakëzimin e tyre me shkolla profesionale në Zvicër. Bashkëpunimi do të mundësojë modernizimin ambienteve dhe laboratorëve të shkollave, si dhe marrjen e eksperiencave më të mira të shkollave profesionale të Zvicrës. “Shkollat profesionale të Vlorës, ashtu si të gjitha shkollat profesionale në vend që po binjakëzohen me shkollat më të mira europiane, kanë marrë mbështetjen e qeverisë zvicerane. Kjo mbështetje nuk do të jetë vetëm për godina më të bukura, por shkolla ku nxënësit do të marrin formimin profesional përmes praktikës dhe eksperiencës më të mirë ndërkombëtare, për të patur në fund një diplomë të vlefshme për punësim në tregun shqiptar dhe europian të punës” tha ministri Klosi në Shkollën Teknologjike “Pavarësia” të Vlorës.
Kreu i Bashkisë së Vlorës Dritan Leli nga ana e tij premtoi se bashkia do të bëhet ndërmjetësuese midis shkollave profesionale dhe bisnesit, në mënyrë që nxënësit të kenë kontrata pune gjatë kohës së praktikave në këto bisnese. Rigjallërimi i arsimit profesional në Shqipëri synon të zbusi problemet e papunësisë veçanërisht tek të rinjtë.