KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Artistët shqiptarë përgatiten për natën e sotme në Vatikan

Artistët shqiptarë përgatiten për natën e sotme në Vatikan

……këto janë tingujt e violinës së Shkelzen Dolit dhe tonet e zërit të superyllit britanik me origjinë shqiptare Rita Ora në “what Child is this”, emocionet e para nga një mbrëmje e paharrueshme ku në katedralen e Shën Palit në Romë frymëmerret shqip.

Një mbrëmje emocionuese ajo e së premtes në Vatikan, ku artistët shqiptarë përgatiten për koncertin e madh të mbrëmjes së 3 shtatorit që i paraprin shenjtërimit të Nënë Terezës.

Një atmosferë mallëngjyese e ka cilësuar Dijana Toska, producentja e këtij koncerti mbrëmjen e provës gjenerale ku artistët shqiptarë janë shkrirë me njëri – tjetrin dhe në muzikën që tingëllon e magjishme në katedralen San Paolo Fuori le Mura. “Nëna e dashurisë” apo “Lapsi i Zotit” i ka mbledhur rreth vetes bijtë e shkëlqyer të kombit të saj për të cilin i qante zemra.

Eventi me karakter bamirës i organizuar nga Fondacioni Nënë Tereza e Kalkutës dhe Arqipeshkvia e Kosovës, do të shohë pjesëmarrjen e personaliteteve të shquara shqiptare në art, kulturë dhe sport si Rita Ora, Genc Tukiqi, Inva Mula, Ermonela Jaho, Gëzim Myshketa, Shkëlzen Doli, Rame Lahaj, Ismail Kadare, Majlinda Kelmendi, Lorik Cana. Me vlerë është prezantimi i Himnit të Nënë Terezës ose Valsi Hyjnor kompozuar nga Genc Tukiqi që do të interpretohet nga Inva Mula nën dirigjimin e mjeshtrit Bujar Llapaj, kori dhe orkestrat e Kosovës dhe Shqipërisë janë themeli muzikor që do të shoqëroje gjithë këtë sipërmarrje që i paraprin shenjtërimit të Nënë Terezës me 4 shtator nga Papa Françesku.