KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Artistja Blerta Hoçia në Galerinë Zeta

Artistja Blerta Hoçia në Galerinë Zeta

Fotografia nuk është dashuria e saj e parë, por ishte mjeti për të ndihmuar pikturën. Por eksperimentin e ka çuar larg, aq sa tashme edhe fotografitë e saj ngjajnë si piktura. Është fjala për ekspozitën fotografike nga artistja Blerta Hoçia, në Galerinë Zeta nën titullin “I thought of you so hard”. Me këtë cikël, ajo shpreh mallin për artin në kushtet kur imazhet na mbingopin çdo ditë pavarësisht mjetit me të cilin arrijnë në retinën tonë.
“Në ëndërrat e fëmijërisë unë do të bëhesha piktore dhe kam vazhduar deri në moshën 20 vjeçare kur fillova të bëja fotografi për të ndihmuar pikturën. Mendova që idenë e pikturës që unë kam t’a përçoja direkt tek shkrepja që mos të kalonte gjithë këtë proçes” kujton Blerta.
Gjithë prezenca në rritje e fotografisë në botën e sotme është shndërruar në stërngopje me imazhin duke humbur delikatesën e artit dhe kjo duket se është edhe pikënisja e Blerta Hoçias si reagimi ndaj këtij zgjerimi marramendës e ngopës.
“Gjithë puna ime është një kthim mbrapa, një sy mbrapa edhe për nga teknika dhe mediumi që kam përdorur dhe motivet që mund të shihen aty këtu” spjegon piktorja dhe fotografja.
Ajo eksploron një shteg tjetër, jo të shtrirjes, por të rrudhjes, implozionit, lëvizjes së brendshmi drejt momenteve që strukturojnë fotografinë e që njëkohësisht janë edhe qasje lirie dhe autorësie: momenti i Shkrepjes kur mendja dhe syri gjedhin objektin, kohën, rrethanat, dritën, këndin, momentit.