KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Asambleja Kombëtare e Francës, gjendja e emergjencës edhe 6 muaj të tjerë

Asambleja Kombëtare e Francës, gjendja e emergjencës edhe 6 muaj të tjerë

Asambleja Kombëtare e Francës miratoi sot zgjatjen e gjendjes së emergjencës edhe me 6 muaj të tjerë. Kryeministri francez, Manuel Valls tha se Franca duhet të jetë e përgatitur të presë të tjera sulme terroriste, pavarësisht masave parandaluese të ndërmarra nga qeveria . “E di që këto fjalë janë shumë të rënda për t’u thënë, por e kam për detyrë t’ju paralajmëroj – tha ai. – Do të ketë të tjera sulme terroriste dhe mund të ketë të tjerë viktima të pafajshme. Ne nuk duhet të mësohemi kurrë me terrorin e ta konsiderojmë atë të zakonshëm, por duhet të mësohemi të jetojmë me ketë kërcënim”, tha Valls. Vendimi i Asamblesë thotë se gjendja e emergjencës në Francë do të vijojë deri në janar të vitit 2017. Njëherësh me vendimin e asamblesë, presidenti francez Fransua Holand vizitoi një qendër stërvitore të xhandermarisë në Dordonjë ku deklaroi se ka urdhëruar mobilizimin e 10 mijë rezervistëve të policisë dhe ushtrisë gjatë kësaj periudhe. Zemërimi pas sulmeve terroriste është legjitim, por nuk duhet të lejojmë që ai të degjeneroje në urrejtje dhe dyshim, tha presidenti. Ai shtoi se zgjatja e gjendjes së emergjencës do të vijoje në përputhje me rregullat demokratike.