KRYEFAQJA » LAJME » Asambleja Parlamentare e NATO-s, Meta pret presidentin Turner
Asambleja Parlamentare e NATO-s, Meta pret presidentin Turner

Asambleja Parlamentare e NATO-s, Meta pret presidentin Turner

Situata në Lindjen e Mesme dhe rreziku që vjen nga terrorizmi dhe shteti islamik i ISIS, kriza e refugjatëve, situata e sigurisë në rajon dhe në kufijtë e Aleancës, politika e dyerve të hapura dhe anëtarësimi i Malit të Zi në NATO, kanë qenë tema e bisedimeve midis kreut të parlamentit shqiptar Ilir Meta dhe presidentit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s kongresmenin Michael Turner. Sipas njoftimeve të zyrës së shtypit të parlamentit zoti Meta ka theksuar se Shqipëria do të vazhdojë të luajë rolin e saj konstruktiv për paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe në misionet e drejtuara nga NATO në dobi të paqes dhe sigurisë globale. Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit nënvizoi rëndësinë që ka modernizimi i mëtejshëm i Forcave të Armatosura dhe strukturave të tjera të sigurisë kombëtare, duke rritur kapacitetet njerëzore, infrastrukturore dhe buxhetet respektive.
Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Turner shprehu falënderimet në emër të Aleancës për Kuvendin e Shqipërisë për organizimin e kësaj ngjarje madhore në Tiranë dhe theksoi se Shqipëria është një anëtar i përkushtuar dhe i vlerësuar i saj.