KRYEFAQJA » LAJME » ASHE nis fushatën në Kolonjë
ASHE nis fushatën në Kolonjë

ASHE nis fushatën në Kolonjë

Nën sloganin “Bashkohu me ne” Koalicioni Aleanca për Shqipërinë Europiane ka nisur sot fushatën për zgjedhjet e parakohshme në Bashkinë e Kolonjës. Ka qenë vetë kryeministri Edi Rama i cili ka prezantuar mjekun Ilia Stefo. “Kemi zgjedhur njeriun e duhur për të vazhduar punën që la përgjysmë Arben Malo” tha zoti Rama duke shprehur ndërkohë keqardhjen për largimin para kohe nga jeta të ish kryetarit të bashkisë. “Ne sot vijmë dhe kërkojmë me kokën lart mbështetjen tuaj, pasi jemi të bindur se, pavarësisht problemeve të mëdha që kërkojnë zgjidhje, ky komunitet e ka shumë të qartë se në këto 3 vite, qeveria jonë i ka hapur rrugë një procesi historik transformimi të vendit, duke bërë reforma që të tjerë para nesh as nuk i mendonin” tha zoti Rama. Ai shtoi se “Vota duhet të jetë shprehje e respektit për një punë të nisur dhe e bindjes se vetëm duke kaluar stafeta brenda kësaj familjeje politike, puna e nisur mund të vazhdojë e mund të përfundojë. Projekti ynë nuk vazhdon dot duke ndërruar dorë”tha kryeministri dhe kreu i PS Edi Rama.
Kandidati socialist mjeku Ilia Stefo tha se 30 vjet si mjek dhe në të ardhmen si kryetar bashkie do t’u shërbeje dhe përkushtohet njerëzve. “Kam ndjerë mbështetje të madhe për këtë kandidaturë dhe ky është motivimi më i madh për mua. Rizgjimi i vlerave dhe ekonomisë së kësaj zone të mrekullueshme është objektivi im. Me mbështetjen e kryeministrit Rama do të realizojmë projektet për Kolonjën”tha kandidati socialist për Bashkinë e Kolonjës Ilia Stefo.