KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Ashpërsimi i gjobave, debate mes ligjvënësve
Ashpërsimi i gjobave, debate mes ligjvënësve

Ashpërsimi i gjobave, debate mes ligjvënësve

Një projektligj i ri i ministrisë së financave i cili parashikon masa më të rënda ndaj biznesit ka provokuar polemika në komisionin parlamentar të ekonomisë. Ministri Shkëlqim Cani e argumentoi ashpërsimin e ligjit me evazionin në terren. “Çuam sërish në terren 500 vetë dhe gjetëm një gjendje më të mjerueshme nga ç’e kishim menduar. Për pasojë duhet të marrim masat e duhura për të vepruar ” tha zoti Cani.
Por përfaqësuesit e opozitës thanë se me këto masa qeveria po godet biznesin e vogël, për të mbuluar evazionin që bëjnë kompanitë e mëdha kliente të saj. Ish ministri i financave në qeveritë e demokratëve Ridvan Bode, vlerësoi se evazioni u krijua nga më pak se 6-8 për qind e biznesevet, “….ndërsa drurin do ta hanë 94 për qind të tjerët” .
Projekti i ri i qeverisë rrit me disa herë gjobat për moslëshim kuponi, parashikon sekuestrimin e mallrave pa faturë, ndërsa për shkeljet e përsëritura biznesi dënohet edhe me burg.  Deputeti  i LSI Gjovalin Kadeli nga ana e tij vlerësoi se tendenca për të rritur gjobat nuk do t’i sjellë ndonjë të mirë ekonomisë shqiptare, por do të rrënojë biznesin.
Kreu socialist i komisionit Erion Braçe ka këmbëngulur në ndëshkimin e personave të paligjshëm. “Regjistrimi i 20 mijë bizneseve në 1 muaj e gjysmë dëshmojnë fare mirë se çfarë ka ndodhur në të shkuarën” tha zoti Braçe.
Lidhur me debatet për këtë çështje, specialitet e ekonomisë sugjerojnë një politikë mjaftë të matur. Sipas tyre shteti duhet ta trajtojë biznesin si partner dhe jo si kundërshtar. Përfaqësues të biznesit kanë përmendur jo pak raste kur sektorë të ndryshëm të tatim taksave dhe doganave, nuk u përgjigjen detyrimeve që parashikon ligji ndaj biznesit.