KRYEFAQJA » LAJME » Athinë, Tsipras pret Metën
Athinë, Tsipras pret Metën

Athinë, Tsipras pret Metën

Kreu i parlamentit shqiptar Ilir Meta ka kërkuar një hov të ri në marrëdhëniet shqiptaro-greke, që çështjet e mbartura nga e kaluara të trajtohen në mënyrë konstruktive. Kjo ka qenë tema e bisedimeve me kryeministrin grek Alexis Tsipras, takim që u zhvillua në Athinë me rastin e vizitës së zotit Meta atje.
Kreu i parlamentit shqiptar ka gjetur rastin të shprehi mirënjohjen për mbështetjen që Greqia i ka dhënë Shqipërisë në anëtarësimin e saj në NATO, në marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat në BE dhe që jep ndaj ecurisë së saj në procesin e integrimit evropian. “Jam këtu për të shprehur falënderimin për gjithë mbështetjen që Greqia ka dhënë për Shqipërinë, jo vetëm për anëtarësimin në NATO, por dhe për marrjen e statusit së vendit kandidat për t’u anëtarësuar në BE gjatë presidencës greke. Ne mbështetemi shumë tek Greqia për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Jemi dy nga popujt më të vjetër të gadishullit dhe në pjesën më të madhe të historisë popujt tanë kanë bashkëjetuar dhe kanë ndarë vështirësi të përbashkëta” tha zoti Meta. Ai vlerësoi se marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të dominohen nga interesat e përbashkëta dhe se çështjet e mbartura nga e kaluara duhen trajtuar në mënyrë konstruktive sipas përkatësisë evropiane që na takon. “Natyrisht, si të gjithë fqinjët, në historinë e marrëdhënieve tona kemi disa plagë, por nuk janë këto që dominojnë marrëdhëniet tona. Ato dominohen nga interesat e përbashkët, dhe dihet që një plagë edhe kur e përkëdhel, prapë e lëndon. Por unë besoj që ne me urtësi dhe me vullnet pozitiv, jo vetëm që do t’i japim një hov të ri marrëdhënieve të gjithanshme shqiptaro-greke, sepse kjo është një kërkesë e qytetarëve tanë, por dhe t’i trajtojmë në mënyrë konstruktive sipas edhe përkatësisë evropiane që na takon të gjitha çështjet e mbartura nga e kaluara” tha zoti Meta.
Kreu i parlamentit shqiptar ka vlerësoi si moment pozitiv për Greqinë përmirësimin e situatës ekonomike dhe sociale, pasi sipas tij fatet e dy vendeve tona kanë qenë dhe janë sot më të lidhura se asnjëherë tjetër. “Ne kemi përfituar shumë nga zhvillimi dhe të mirat e Greqisë pas viteve ‘90 dhe njëkohësisht edhe ne kemi ndjerë pasojat e krizës ekonomike sociale këtu vitet e fundit. Ndaj gëzohem shumë për këtë moment stabiliteti, sepse një Greqi më e fortë ekonomikisht dhe politikisht është edhe interesi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve” tha zoti Meta. Duke u ndalur te çështjet e emigrantëve shqiptarë në Greqi, Kryetari i Kuvendit vlerësoi vizionin integrues të qeverisë Tsipras dhe kërkoi që të bëhen përpjekje edhe më të mëdha në këtë drejtim.

Kryeministri Tsipras është shprehur për mbrojtjen e fqinjësisë nga ekstremistët nacionalistë, ndërsa ka vlerësuar rolin e zotit Meta në qetësimin e situatës.  “Duhet të mbrojmë perspektivën e fqinjësisë së mirë. Duhet ta mbrojmë këtë perspektivë nga zërat ekstremistë, nacionalistë. Në këtë kuadër, dua t’ju falanderoj juve sepse keni qenë gjithnjë përballë këtyre zërave nacionalistë”citohet të ketë thënë në takim kryeministri grek.