KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Australi, kontrollet policore ndezin situatën politike

Australi, kontrollet policore ndezin situatën politike

Kontrollet e policisë në disa banesa të eksponentëve të opozitës e kanë ndezur edhe më shumë fushatën elektorale të zgjedhjeve të 2 korrikut, të cilat sondazhet tregojnë se do të jenë shumë të luftuara. Për sa i takon kontrollove, policia ndërhyri pas daljes në media të raporteve sekrete të Rrjetit Kombëtar të Komunikimeve. Kur laburistët ishin në pushtet, u miratua një plan prej 38 miliard dollarësh australianë për të lidhur 93% të vendit me fibra optike. Por, në raportet sekrete sugjerohet se kostot janë tejkaluar shumë dhe kohët janë zgjatur tej mase, duke ngritur shqetësimin për abuzim pushteti nga qeveria. Mediat australiane thanë se ndërhyrja e policisë ndaj opozitës u bë për të zbuluar origjinën e këtyre raporteve sekrete si dhe mënyrën se si janë siguruar apo përdorur nga opozita. Por edhe për të verifikuar të dhënat që përmbahen në to. Autoritetet australiane thanë se nuk ka pasur asnjë ndërhyje ndaj policisë, e cila vepron plotësisht në mënyrë të pavarur, ndërsa kryeministri Turnbull kritikoi ashpër opozitën që vuri në dyshim ndershmërinë e policisë.