KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Austri, ekstremi i djathtë, favorit për të marrë presidencën
norbert-hofer-alexander-van-bellen

Austri, ekstremi i djathtë, favorit për të marrë presidencën

Në Austri më 22 maj mbahet balotazhi i zgjedhjeve presidenciale. Norbert Hofer i ekstremit të djathtë dhe rivali i tij i mbështetur nga të gjelbrit, Alexander Van der Bellen, zhvillojnë sot mitingjet përmbyllëse. Hofer 45-vjeçar, fitoi në raundin e parë të zgjedhjeve, por pa arritur të sigurojë mbështetjen e nevojshme për postin e presidentit pa qenë nevoja e një balotazhi.
Ekstremisti i djathtë shihet si favorit në këto zgjedhje dhe nëse i fiton, do të bëhet i pari kryetar shteti me prirje radikale në Bashkimin Europian, megjithëse presidenti në Austri ka më shumë një rol ceremonial. Në një përballje televizive, dy kandidatët hodhën akuza të ndërsjellta ndaj njëri-tjetrit. Van der Bellen, 72 vjeç, akuzoi kundërshtarin e tij se synon të shpërndajë çdo qeveri që nuk u përshtatet politikave të tij radikale. Akuza e tij argumentohet me faktin se pavarësisht pushtetit të kufizuar dhe më shumë ceremonial, presidenti në Austri mund të shpërbëjë qeverinë dhe të mos japë betimin për kancelarët.
Që pas Luftës së Dytë Botërore, kjo është hera e parë në Austri, kur në balotazh nuk ka kandidatë nga Social Demokratët dhe Partia Popullore, dy forcat kryesore politike në vend.