KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Austri, zgjedhjet presidenciale do të përsëriten
austria

Austri, zgjedhjet presidenciale do të përsëriten

Me tension tё madh u prit vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi zgjedhjet prsidenciale nё Austri. Tani ёshtё e qartё, zgjedhjet e balotazhit do tё pёrsёriten. “Vendimi nuk bёn askёnd as fitues, as humbёs “, tha presidenti i Gjykatёs Kushtuetuese, Gerhart Holzinger, nё vendimin e shpallur publikisht. Gjykimi shёrben pёr tё forcuar besimin tek shteti ligjor dhe demokracia. Partia populiste e djathtё, (Partia Austriake e Lirisё) u ankua pas humbjes me njё diferencё tё ngushtё tё kandidatit tё saj pёr president Norbert Hofer pёr shkak tё njё sёrё parregullsish nё autoritetet lokale elektorale. Mё 22 maj kandidati i pavarur dhe ish-kryetari i partisё ekologjike Alexander Van der Bellen i fitoi zgjedhjet e balotazhit me vetёm 31.000 vota (50.3 pёrqind) kundrejt Hoferit (49.7 pёrqind). Vendimtare pёr kёtё rezultat ishin rreth 740.000 votat e vlefshme tё dёrguara me postё. Partia populiste e djathtё depozitoi njё rekurs plot 150 faqe. Ndёr tё tjera ka pasur gabime nё numёrimin e votave me postё. Kёtё e kanё pranuar disa pёrgjegjёs pёr zgjedhjet gjatё verifikimit. Pёr mungesё kohe janё hapur zarfet para kohe dhe votat janё numёruar pjesёrisht edhe nga persona tё paautorizuar. Presidenti ri javёn e ardhshme duhej tё bёnte betimin. Tani presidiumi tresh i Kёshillit Kombёtar, nё tё cilin bёn pjesё edhe Hofer, do tё drejtojё pёrkohёsisht presidencёn. Presidenti aktual Heinz Fischer pas dymbёdhjetё vjetёsh nё post sipas kushtetutёs, do tё largohet. Zgjedhjet e reja priten nё vjeshtё. Fischer tha se ёshtё krenar pёr vendimin e Gjykatёs Kushtetuese. “Demokracia ka kaluar njё sprovё,” tha ai. Alexander Van der Bellen tregohet i sigurtё pёr fitoren: “Nёse ia kam dalё njё herё, do t’ia dal edhe herёn e dytё “, deklaroi 72-vjeҁari, profesor nё ekonomi. “Në muajt e ardhshёm sёrish do tё krijojmё njё lёvizje qytetare”. Ai tha se ndёrkohё po i arrijnё donacione pёr tё financuar fushatёn elektorale. Van der Bellen theksoi se: “Kjo nuk ёshtё njё lojё. Mua mё intereson uniteti i Austrisё.”.