KRYEFAQJA » LAJME » Euro 2016 » Autoritetet e larta të shtetit kanë përshëndetur përmes rrjeteve sociale fitoren e kombëtares
Shqipëria mbyll "Euro 2016", Rama: Të presim heronjtë!

Autoritetet e larta të shtetit kanë përshëndetur përmes rrjeteve sociale fitoren e kombëtares

Fitorja historike e kombëtares shqiptare mbrëmjen e shkuar ndaj Rumanisë, është përshëndetur me nota të theksuara entuziazmi, edhe nga autoritetet më të larta të shtetit. I pari që ka kontaktuar me djemtë e kombëtares fill pas përfundimit të ndeshjes ka qënë kryeministri Rama. Ai e ka bërë të njohur këtë përmes një videoje të publikuar në fb. Në bisedën telefonike me ta kryeministri Rama u tha se shpërblimi i parë për këtë fitore është pasaporta diplomatike për të gjithë pjestarët e ekipit duke filluar nga presidenti Duka. Ndërsa më tej në postimin e tij në fb kryeministri shkruan “ Forca shqipe” , një zgjedhje për të përcjellë jo vetëm entuziazmin e fitores por edhe shpresën e vijimit të ëndrrës europiane të futbollit.

Përmes një bisede telefonike edhe kryeparlamentari Ilir Meta ka përgëzuar trajnerin e ekipit kombëtar Xhani De Biazi. Fitorja e mbrëmshme e kombëtares u vlerësua prej kreut të kuvendit një shembull se si ëndrrat mund të bëhen realitet.

Ndërsa presidenti Bujar Nishani ka përcjellë entuziazmin e fitores përmes publikimit në fb të një fotoje ku së bashku me disa të rinj mban në duar banderolen ku shkruhet O sa mirë me qenë shqiptar.

Edhe kreu i opozitës Lulzim Basha ka përshëndetur fitoren e kombëtares shqiptare. “ Fitooooooooore! Faleminderit djemve të Kombëtares! Urime gjithë shqiptarëve! PËRPARA SHQIPE!, shkruan Basha në fb…..

Fitores 1-0 të Shqipërisë ndaj Rumanisë në mbrëmjes e së dielës në stadiumin e Lionit, i ka kushtuar vëmendje edhe Ambasada Amerikane në Shqipëri. Në faqen e saj në fejsbuk, ajo shkruan: “Urime, shqiponja! Fitorja juaj ishte historike dhe ju e bëtë vendin tuaj krenar mbrëmë! Ne ju urojmë shumë fat në kualifikim!”.