KRYEFAQJA » LAJME » Avioni i Divjakës, prokuroria kërkon 15 vjet burg për italianin
Avioni i Divjakës, prokuroria kërkon 15 vjet burg për italianin

Avioni i Divjakës, prokuroria kërkon 15 vjet burg për italianin

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi dënimin me 15 vjet heqje lirie për italianin Giorgo Riformato, i akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, mbetur në tentativë. Piloti italian u arrestua më 10 maj të 2014-ës në plazhin e Divjakës, kur aeroplani i tij sportiv u dëmtua gjatë zbritjes në vijën ranore. Pranë aeroplanit të tij u gjet një sasi prej 460 kg kanabis sativa që do të transportohej nëpërmejt ajrit përtej Adriatikut.
Edhe në seancën e së hënës, Riformato nuk e ka pranuar akuzën duke mohuar të ketë lidhje me trafikun e drogës nga Shqipëria drej Italisë. Ai nuk ka pranuar as gjykimin e shkurtuar duke i qëndruar versionit fillestar se qëllimi i vizitës së tij në Shqipëri ka qenë hapja e një zyre turistike. Piloti italian është gjykuar veçmas nga 6 persona të tjerë të implikuar në këtë ngjarje, për të cilët Gjykata e Krimeve të Rënda, i ka dënuar me një total prej 47 vitesh heqje lirie.
Ngjarja ku Riformato shihet si personazhi kryesor, ka tërhequr vemendjen e opinionit publik dhe për më tepër atij politik. Në parlamentin shqiptar opozita e djathtë akuzoi ashpër qeverinë e majtë se me ardhjen e saj në pushtet në qershor 2013, kishte aktivizuar fuqishëm trafiqet e drogës. Por kryeministri Edi Rama i ka hedhur poshtë akuzat si të pavërteta.