KRYEFAQJA » LAJME » Kriza e refugjatëve sjell Avramopulosin në Tiranë
Avramopulos në Tiranë

Kriza e refugjatëve sjell Avramopulosin në Tiranë

Komisionerin e Bashkimit Europian për Migrimin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos që prej mëngjesit të së premtes gjendet në Tiranë, ku është pritur nga kryeministri Rama, presidenti Nishani, kryediplomati Bushati kreu i parlamentit Meta, si dhe ambasadorë të vendeve të BE. Në vemendje është kriza e emigrantëve e cila ka prekur pjesën më të madhe të vendeve të Bashkimit Evropian.
Nuk ka njoftime rreth takimeve, por zoti Avramopulos mendohet se u ka përcjellë autoriteteve shqiptare konkluzionet e bisedimeve në Bruksel, mes BE dhe Turqisë, të cilat kanë përfunduar në orët e para të së premtes. Në bazë të tyre, Turqia do të pranojë prapa të gjithë migrantët që kalojnë Detin Egje dhe arrijnë në Greqi. Në këmbim, BE-ja do të marrë refugjatë sirianë direkt nga Turqia, do t’i sigurojë asaj 6 miliardë euro ndihma dhe do të përshpejtojë negociatat për anëtarësimin e Turqisë në BE dhe planet për liberalizimin e vizave. Ende pritet të mësohet roli i Shqipërisë. Deri tani ishte parashikuar vetëm një proces përforcimi i kufirit nga ana e qeverisë shqiptare. Për këtë autoritetet shqiptare po bashkëpunojnë ngushte me autoritetet italiane. Ndërkaq qeveria shqiptare ngriti me një vendim të posaçëm të mërkurën një komitet për trajtimin e situate të emigrimit në kufijtë jugorë të Shqipërisë.