KRYEFAQJA » LAJME » Bacchi është trajneri i ri i Brazilit në futboll
Bacchi është trajneri i ri i Brazilit në futboll

Bacchi është trajneri i ri i Brazilit në futboll

Kombëtarja braziliane e futbollit ka një trajner të ri, Adenor Leonardo Bacchi i quajtur ndryshe Tite. Ky emërim erdhi pas pushimit nga puna të trajnerit Carlos Dunga, që falimentoi në Kupën e Amerikës të Njëqindvjetorit. “Jemi të fokusuar në kualifikimin për kampionatin botëror Rusi 2018, mendoj që mund ta arrijmë objektivin por është e qartë që do të kemi edhe rreziqe rrugës”. Këto janë fjalët e para të trajnerit të ri brazilian gjatë zyrtarizimit në Federatën Braziliane të Futbollit, i cili është gati të nisë këtë aventurë që e di se është e ndërlikuar.

Pas një paraqitje të keqe në Shtetet e Bashkuara, edhe kalimi për në botëror nuk është i lehtë. Brazili, në fakt, është i gjashti në grupin e vetëm kualifikues për Amerikën e Jugut. Selesao ka bërë gjashtë ndeshje dhe ka vetëm 9 pikë, 4 pikë larg vendit të parë. Brazili nuk ka munguar asnjë herë në kampionatet botërore dhe nëse nuk kualifikohet do të ishte një tmerr për futbollin e madh të këtij vendi pesë herë kampion bote. Në grupin e Amerikës së Jugut, katër vendet e para shkojnë në Rusi ndërsa vendi i pestë shkon në play-off me fituesen e Oqeanisë dhe fituesja e këtij play-off-i shkon në Rusi.

Takimi i parë për kombëtaren e re të Tite-s është me 2 shtator, kur Selesao të ndeshet në Kito kundër Ekuadorit për kualifikimin në botëror. Ekuadori ndodhet në vendin e dytë me 13 pikë po aq sa ka edhe Uruguaj kryesues. Me 6 shtator Brazili do të presë Kolumbinë në Manaus po për ndeshjet kualifikuese të Rusi 2016.