KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Bagdad, mbi 200 viktima nga atentatet
baghdad-bombing

Bagdad, mbi 200 viktima nga atentatet

Në atentatin më të përgjakshëm terrorist këtë vit, numri i të vrarëve në kryeqytetin irakian Bagdad është rritur në të paktën 213 vetë. Më shumë se 300 vetë janë plagosur, deklaroi ministria irakiane e Shëndetësisë. Sipas të dhënave të organeve të sigurisë atentati i parë ndodhi kur në një rrugë tregtare me shumë njerëz të njohur si Karada, shpërtheu në një automjet një bombë. Një oficer policie tha se një atentator vetëvrasës e shpërtheu kamionin e ngarkuar me eksploziv pranë një restoranti në zonë. Ky shpërthim mori shumë jetë njerëzish, duke përfshirë 15 fëmijë, dhjetë gra dhe gjashtë policë. Vlerësimet e mëparshme për të vrarët folën për 80 vetë, por shifra u rrit me shpejtësi gjatë së dielës. Forcat e shpëtimit druhen se numri i të vrarëve mund të shtohet edhe më tej, meqenëse nuk ka qenë e mundur të identifikohen të gjitha pjesët e kufomave dhe ka ende persona të zhdukur. Në kohën e shpërthimit të bombës, shumë banorë po përfundonin blerjet para festës për përfundimin e muajit të agjërimit Ramazan. Një tjetër lëndë shpërthyese plasi në një rrugë tregtare në lagjen e banuar nga shiitët Al-Shaab në veri të Bagdadit. Sipas të dhënave të policisë atje u vranë të paktën dy vetë. Ambasada e SHBA në Bagdad shprehu ngushëllimet e saj për familjet dhe miqtë e viktimave në një deklaratë të publikuar në Facebook. Kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi vizitoi skenën e sulmit dhe u zotua se do të marrë hak. Ai akuzoi “banda terroriste” se kishin bombarduar “pasi qenë mundur në zonën e luftës.” Por kryeministri irakian u detyrua të largohej shpejt nga vendi i ngjarjes, pasi një grup i zemëruar personash të pranishëm nisën të gjuajnë me gurë kundër vargut të automjeteve të kryeministrit. Ata i akuzuan për mungesë efikasiteti forcat e sigurisë në rastin e shpërthimit të bombës. Qeveria irakiane deklaroi muajin e kaluar se Falluxha që ndodhet më në Perëndim të vendit u rivendos në kontroll dhe iu mor Shtetit Islamik. Por Shteti Islamik vazhdon të kontrollojë pjesë të gjera të Irakut.