KRYEFAQJA » LAJME » Balla dhe Malltezi konfliktohen në aeroport
Balla dhe Malltezi konfliktohen në aeroport

Balla dhe Malltezi konfliktohen në aeroport

Marrëdhëniet problematike mes deputetit socialist Taulant Balla dhe fëmijëve të ish kryeministrit demokrat Berisha janë acaruar sërish. Vetë zoti Balla ka njoftuar për një sulm fizik ndaj tij nga Jamarbër Malltezi, dhëndëri i zotit Berisha. Ngjarja ka ndodhur të premten në mbrëmje në mjediset e aeroportit “Leonaro Da Vinci” në Romë. Sipas deputetit Balla, ai është goditur me grusht nga Jamarbër Malltezi, bashkëshortja e tij i ka hedhur një hamburger dhe i është drejtuar me fjalë ofenduese. Sipas mediave, zoti Malltezi ka thënë se është ndjerë i provokuar nga deputeti socialist. Në njoftimin e policisë bëhet e ditur se zoti Balla është goditur për shkak të detyrës dhe ka bërë kallëzim në lidhje me këtë ngjarje.
Marrëdhëniet e zotit Balla dhe fëmijëve të ish kryeministrit Berisha, si dhe vetë me këtë të fundit, ka vite që janë konfliktuale. Më së shumti nga salla e parlamentit, zoti Balla ka akuzuar fëmijët e zotit Berisha për përfitime të jashtëligjshme, duke shfytëzuar pozitën e babait të tyre si kryeministër. Për opinionin ka mbetur në kujtesë deklarata e zotit Berisha në parlament pak vite më parë drejtuar deputetit socialist “Ta bëj fytyrën më të zezë se këpuca”.  Pasojat e tensioneve të shumta në seancat plenare të krijuar pas debateve të ashpra mes zotit Berisha dhe zotit Balla, kanë zbritur edhe në gjykatë. Gjatë viteve kur në pushtet ka qenë PD, zoti Balla është dënuar dy herë me gjoba të ndryshme për shpifje ndaj vajzës dhe djalit të ish kryeministrit. Ndërsa pas ardhjes në pushtet të socialistëve, akuzat e vajzës së ish kryeministrit Berisha, se zoti Balla ka shpifur ndaj saj, nuk janë provuar, madje janë hedhur poshtë si të pabaza.