KRYEFAQJA » LAJME » “Banda e babagjyshëve”,Prokuroria: 28 vite burgim për Sajmir Kalën

“Banda e babagjyshëve”,Prokuroria: 28 vite burgim për Sajmir Kalën

I pandehuri Sajmir Kala rrezikon dënimin me 28 vite burgim për dy grabitjet me armë, që mbajnë autorësinë e tij në Tiranë dhe Dibër. Në pretencën e saj, prokuroria i kërkoi gjykatës së krimeve të rënda, dënimin me 28 vite burg për Sajmir Kalën, një nga 11 anëtarët e Bandës së Babagjyshëve. Që në fazën e parë të gjykimit i pandehuri ka pranuar aktet në dosje duke përfituar gjykim të shkurtuar dhe duke përfituar uljen e një të tretës së dënimit. Kala është pjesë e grupit të strukturuar kriminal, i cilësuar si “Banda e Babagjyshëve” dhe e drejtuar nga shqiptari Ilir Kupa.
Për 6 anëtarët e tjerë të bandës, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi në total 175 vite burgim. Në bazë të hetimit, Prokuroria ka ngritur akuza për këtë grup personash për 13 episode kriminale të vjedhjeve, kryesisht argjendari të kryera në Shqipëri por dhe në Maqedoni. Ata përdornin maska, doreza ose dhe veshje me mbishkrimin policia.

Prokuroria për Krime të Rënda, në përfundim të proçesit gjyqësor për pjesën e parë të grupit, kërkoi dënimet, si më poshtë:

  1. Ilir Kupa të dënohet me 35 vjet burgim
  2. Enea Qerushi të dënohet me 30 vjet burgim
  3. Hajdar Sefa të dënohet me 30 vjet burgim
  4. Mark Shpendi të dënohet me 30 vjet burgim
  5. Edmond Selala të dënohet me 15 vjet burgim
  6. Agustin Sula të dënohet me 35 vjet burgim (Për shkak të pozitës së bashkëpunëtorit të drejtësisë, Prokuroria kërkoi për këtë të pandehur dënimin përfundimtar me 9 vjet burgim).