KRYEFAQJA » LAJME » Banja, inagurim pas 30 vjetësh
Banja, inagurim pas 30 vjetësh

Banja, inagurim pas 30 vjetësh

Kompleksi hidroenergjitik i Banjës, i pari ndër tre nyjet e kaskadës mbi lumin e Devollit, ka hyrë në fazën përfundimtare. Që prej disa ditësh ka filluar krijimi i liqenit të tij, i cili do të përdoret për prodhimin e energjisë elektrike dhe ujitjen e zonës. HEC-i i Banjës është i pajisur me dy turbina Francis vertikale, me një kapacitet total të instaluar prej 66 MW dhe një turbinë Francis horizontale me kapacitet 7 MW . Prodhimi i parashikuar vjetor i energjisë elektrike është 255 GWh. Diga e Banjës është një digë me dhe të hedhur 80 m e lartë. Ajo shfytëzon lartësinë e nivelit të ujit midis 175,0 m dhe 95 m mbi nivelin e detit. Liqeni i Banjës do të jetë rreth 16 km i gjatë. Në përfundim të procesit të mbushjes, ai do të mbajë rreth 391 miliardë litra ujë, në një sipërfaqe më të madhe se 2000 fusha futbolli.
Historia e kompleksi hidroenergjitik të Banjës, nis më shumë se tre dekada më parë, në kohën e regjimit komunist në Shqipëri. Studimi dhe projektimi i tij ju besua projektuesve të ish Institutit të Studimeve e Projektimeve Nr. 3 të Tiranës, ndërsa në vitin 1986 nisën punimet. Deri në vitin 1990 punimet në hidrocentralin e Banjës kishin arritur në afro 50 për qind të tyre. Por ndryshimi i sistemit politik dhe ekonomik, sollën fillimisht pezullimin e më pas, ndërprerjen totale të punimeve. Arsyeja kryesore ishin mungesa e mjeteve financiare. Në vitet e tranzicionit, Kompleksi hidroenergjitik i Banjës iu nënshtrua shkatërrimeve sistematike nga dora e njeriut, por edhe faktorëve natyralë. Interesi për të u rikthye në vitin 2007, kur u zhvillua tenderi për shfrytëzimin me koncesion të rezervës hidrike të lumit Devoll. EVN AG, Statkraft AS dhe Devoll Hydropower kanë nënshkruar një marrëveshje koncesioni që në 2009 për projektimin, financimin, ndërtimin, pronësinë, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e Projektit Hidroenergjetik mbi lumin e Devollit. Ndërtimi i hidrocentraleve ka nisur në vitin 2013 dhe do të zgjasë në total rreth 6 vite, nga firma Statkraft AS. Sipas parashikimit Banja hyri në funksionim në vitin 2016, ndërsa HEC-i i fundit do të hyje në funksionim në vitin 2019.