KRYEFAQJA » LAJME » Banja Luka, protestë pro dhe kundër qeverisë rajonale

Banja Luka, protestë pro dhe kundër qeverisë rajonale

Dhjetëra mijëra njerëz protestuan të shtunën ndarë në dy grupe pro dhe kundër qeverisë rajonale të Republikës serbe të Bosnjës në qytetin Banja Luka. Protesta e opozitës është pjesë e përpjekjes për të rrëzuar qeverinë e udhëheqësit nacionalist Milorad Dodik, presidenti i Republikës Srpska, një nga etnitetet kushtetuese të Bosnjë Hercegovinës. Opozita e bashkuar pro evropiane me emrin Aleanca për Ndryshim, akuzon qeverinë lokale serbe për korrupsion dhe udhëhehqësin Dodik për diktaturë, ç’ka e ka sjellë rajonin buzë kolapsit ekonomik. Nga ana tjetër, protestuesit proqeveritare akuzojnë opozitën se ka tradhëtuar interesat nacionaliste serbe. Të dy kampet u mbajtën larg njëri-tjetrit nga qindra policë, me qëllim shmangien e përplasjeve të dhunshme. Gjendja ka qenë e tensionuar gjatë gjithë këtyre ditëve dhe kryeministrit serb Aleksandër Vuçiç iu desh të lëshonte një thirrje për qetësi.