KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Bankers: Do ndërpresim prodhimin! Qeveria: Pasuritë e shqiptarëve nuk mund të keqpërdoren!
Bankers: Do ndërpresim prodhimin! Qeveria: Nuk lejojmë cënimin e integritetin e të pasurive!

Bankers: Do ndërpresim prodhimin! Qeveria: Pasuritë e shqiptarëve nuk mund të keqpërdoren!

Qeveria shqiptare i ka konsideruar “kërcënime” deklaratat e Bankers Petroleum Ltd, se do të mbylli apo reduktojë aktivitetin e saj, nëse autoritetet shqiptare nuk do të zhbllokojnë llogaritë e kompanisë. Në një deklaratë të publikuar orët e pas dites të së martës, qeveria vlerësonte se “është e qartë për kërcënimet e bëra nga Bankers Petroleum Ltd. për të mbyllur apo kufizuar aktivitetin në zonën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës”. “Teksa qeveria mirëpret partnerët e huaj apo vendas, pasuritë kombëtare të Shqipërisë janë një pasuri e të gjithë shqiptarëve dhe as nuk mund të keqpërdoren, as mund të përdoren si kërcënim ndaj vendit” thekson deklarata. “Të gjithë kompanitë që punojnë në Shqipëri, qofshin të huaja apo vendase, duhet t’u binden rregulloreve dhe ligjeve në fuqi në Republikën e Shqipërisë” shton më tej ajo. “Qeveria shqiptare është e vetëdijshme për detyrimin dhe të drejtën e saj që të mos lejojë cënimin e integritetit afatgjatë të pasurive të çmuara të vendit” paralajmëron qeveria shqiptare.

Konflikti midis qeverisë shqiptare dhe Bankers Petroleum Ltd, ka nisur pasi Drejtoria e Përgjithshme e Tatim Taksave, konstatoi pak kohë më parë se kompania kanadeze i detyrohej shtetit shqiptar 75 milionë dollarë taksa të pa paguara. Me këtë rast Gjykata e Apelit mori vendim që të bllokonte këtë shumë nga llogaritë e kompanisë. Por menjehërë Bankers Petroleum Ltd kërkoi një pezullim të këtij akti nga Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë. Sipas kompanisë kanadeze edhe pse Gjykata e Arbitrazhit nxori urdhër që autoritetet shqiptare të zhbllokojnë llogaritë e saj, ato nuk po e zbatojnë.

Ndërkohë qeveria shqiptare ka deklaruar se do ta kalojë cështjen në arbitrazh ndërkombëtar, madje sipas ministrit të Energjitikës Damian Gjiknuri është kontraktuar edhe kompania që do ta ndjeki këtë cështje.

Qeveria e kryeministrit socialist Edi Rama, me rastin e ardhjes së saj në pushtet më shumë se dy vjet më parë, ka deklaruar se do të rishikojë privatizimit dhe koncesionet e dhëna gjatë tetë vjetëve të qeverisë Berisha. Ka shumë dyshime dhe të dhëna se Bankers Petroleum LTD, e cila ka nisur punë në Shqipëri në vitin 2004 në Patos – Marinzë, zona më prodhuese e naftës në Shqipëri, nuk ka paguar afro 260 milionë dollarë taksa, ndonëse fitimet e saj gjatë kësaj periudhe llogariten në mbi 2.2 miliardë dollarë. Vetë kompania i ka hedhur poshtë akuzat. Sipas titullarëve të saj, Bankers ka paguar 550 milionë dollarë taksa,  ndërsa investimet që nga viti 2004 i kalojnë 2.5 miliardë dollarë.

Kjo është përplasja më e fortë e qeverisë shqiptare me kompanitë e huaja që operojnë në Shqipëri. Më parë një situatë e ngjashme u konstatua me CEZ, kompaninë ceke që në vitin 2009 kish privatizuar menaxhimin e furnizimit me energji elektrike të popullatës. Por palët arritën ti zgjidhin mosmarrëveshjet me bisedime, ndonëse debati për një aferë korruptive vazhdon me intensitet të lartë.

Ndërkaq qeveria është tërhequr nga disa koncesione të tjera, pasi anullimi i tyre do t’i kushtonte shume ekonomisë shqiptare.  Kjo situatë është bërë pre e politikës. Opozita e djathtë  ka akuzuar qeverinë e majtë se me politikat e saj po largon investitorët e huaj. Ndërsa qeveria akuzon opozitën se ka arritur marrëveshje koncesionare kundër intreresave të vendit.