KRYEFAQJA » LAJME » Barazia gjinore thelbësore për zhvillimin
Barazia gjinore thelbësore për zhvillimin

Barazia gjinore thelbësore për zhvillimin

Rëndësia dhe roli i gruas në vendimmarrjen politike dhe publike në Shqipëri ishte thelbi i fjalimit, me të cilin Kryeministri Edi Rama Samitit ju drejtua “Global Leader Woman” në New York, i iniciuar nga Presidenti kinez, Xi Jinping. “Një nga arritjet tona më të prekshme është rritja e përfaqësisë së grave në vendimmarrjet politike dhe publike. Aktualisht, përfaqësimi i grave në Parlamentin e sotëm shqiptar ka arritur në 21%, kurse në kabinetin që unë drejtoj gratë ministre janë 7 nga 19. Në zgjedhjet e fundit vendore, ne shkuam më tej dhe bëmë një hap gjigand përpara duke imponuar kuota për të gjithë këshillat bashkiakë. Tani, jemi shumë krenarë që jemi një vend që udhëheqim përmes shembullit në Europë, duke pasur 50% gra dhe 50% burra në çdo këshill bashkiak” u tha zoti Rama të pranishmëve.
Shqipëria, theksoi më tej në fjalën e tij Kryeministri, ka marrë angazhime të rëndësishme ligjore, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, për të luftuar diskriminimin dhe për të promovuar barazinë gjinore. Qeveria shqiptare e ka vendosur barazinë gjinore në qendër të axhendës së saj dhe se një sërë arritjesh janë shënuar, por se ajo mbetet ende një sfidë për t’u çuar përpara.
“Unë do them shkurtimisht vetëm tre aspekte të sfidave me të cilat shoqëria shqiptare po përballet, duke premtuar në të njëjtën kohë një angazhim efektiv të të gjitha institucioneve përgjegjëse për zbatimin e tyre.
E para, fuqizimi ekonomik i grave, duke rritur dhe përmirësuar aksesin në kreditim, si edhe promovimi dhe zgjerimi i programeve të punësimit për gratë dhe vajzat. Duke ngushtuar, kështu, hendekun e papunësisë dhe duke rritur pjesëmarrjen e grave në tregun e punës.
E dyta, parandalimi dhe ulja e dhunës kundër grave, dhe dhuna në familje, eliminimi i diskriminimit gjinor në arsim, shëndetësi, media, duke përforcuar mekanizmat ligjorë dhe institucionalë, si edhe përmirësimi i mekanizmave të monitorimit dhe vlerësimit.
Dhe e treta, rritja e pjesëmarrjes së grave në organizmat politikë dhe vendimmarrës, si edhe përfaqësimi qendror dhe vendor i grave në pozicione manaxheriale dhe profesionale në të gjithë organizmat e administratës publike, duke përfshirë pjesëmarrjen e grave në forcat policore dhe ato të armatosura.”
Në fund të fjalës së tij Kryeministri Edi Rama ka përsëritur edhe një herë angazhimin e qeverisë shqiptare për të vazhduar për përmbushjen e Deklaratës së Pekinit, si edhe të Plan-Veprimit, si një udhërrëfyes gjithëpërfshirës në rrugën e arritjes së barazinë gjinore.

Marrë nga faqja e internetit e qeverisë shqiptare.