KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Basha: ‎Shqipëria më mirë pa Edi Ramën
Basha ul tonet ndaj maxhorancës: PD do të jetë në Parlament me votat dhe mbështetjen e saj

Basha: ‎Shqipëria më mirë pa Edi Ramën

Opozita shqiptare vazhdon të akuzojë qeverinë e kryeministrit Edi Rama, për sipas saj situatën e keqe ekonomike në të cilën e ka çuar vendin. Duke ju referuar raportit më të fundit të INSTAT, kreu i opozitës Lulzim Basha doli të martën me një deklaratë për shtyp ku konstaton se “Fuqia blerese e shqiptareve dhe konsumi vazhdojnë të bien në rënie të lirë”. Gjithnjë duke ju referuar INSTAT-it, zoti Basha veçon se “nën kontrollin qeveritar norma vjetore e inflacionit Prill 2016 rezultoi 0.3 përqind tregues i kërkesës së dobët, ndërkohë që edhe dy muajt e mëparshëm kanë rezultuar përkatësisht 0.2 përqind dhe 0.3 përqind”.
Kreu i opozitës vëren se edhe pse inflacioni është shumë i ulët, çmimet që prekin çdo shqiptar janë rritur. Për grupin ”shërbimi arsimor” me 4.8 përqind, “fruta” me 22.3 përqind dhe për “zarzavate përfshirë patatet” me 6.1 përqind. “Shifrat qeveritare edhe pse të kuruara rikonfirmojnë atë që çdo shqiptar e ndjen në lëkurë dhe e ka të shkruar në sy: krizën e thellë ekonomike, papunësinë, varfërinë që janë pasoja të drejtpërdrejta të korrupsionit dhe vjedhjes qeveritare në tatime, dogana dhe prokurime, taksave të larta dhe arbitraritetit të pafre ndaj biznesit dhe fermerëve” shkruan kreu i PD.
Për zotin Basha “Zgjidhja është Shqipëria e taksave të ulëta, që lufton korrupsionin në dogana dhe tatime dhe do ti kthejë frymëmarrje financiare konsumatorit dhe biznesit, zgjidhja është Shqipëria që investon buxhetin për rroga dhe pensione më të larta, subvencione për bujqësinë dhe vende të reja pune përmes investimeve publike dobiprurëse dhe jo luks qeveritar e palma korrupsioni. ‎Shqipëria më mirë pa Edi Ramën” përfundon deklaratën e tij kreu i opozitës Lulzim Basha.