KRYEFAQJA » LAJME » Basha : 2 prilli 1991 bën thirrje për një kthesë të madhe
Basha : 2 prillin 1991 bën thirrje për një kthesë të madhe

Basha : 2 prilli 1991 bën thirrje për një kthesë të madhe

PD e opozitës ka përkujtuar të shtunën një nga ngjarjet më të bujshme të historisë shqiptare të pas viteve ’90, 2 Prillin e vitit 1991 në Shkodër, ku gjatë një proteste antikomuniste u vranë katër të rinj shkodranë. Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka dhe Nazmi Kryeziu, u vranë gjatë një proteste masive të opozitës e cila po kundërshtonte rezultatin e zgjedhjeve të para pluraliste të 31 prillit, ku PD dhe aleatët e saj humbën përballë Partisë së Punës, partia e komunistëve shqiptarë.
Duke folur në mitingun e organizuar me këtë rast kreu i PD Lulzim Basha tha se 2 Prilli i vitit 1991, evokon për demokratët nevojën për një kthesë të madhe, pasi sipas tij oligarika e majtë në pushtet ashtu si 25 vjet me parë të vjëdhë serish votën dhe të shkelë ligjet. “Njësoj si regjimi komunist edhe këta duan pushtet me çdo kusht dhe çdo çmim, ashtu si 25 vite më parë. Vjedhin votën, shkelmojnë ligjin. Modeli i tyre është e shkuara, krimi që vrau Shkodrën, modeli i tyre është pasurimi i qeveritarëve dhe varfërimi i qytetarëve. Këtë mendje kanë patur paraardhësit e tyre politikë, të njëjtën mendje kanë edhe sot se pushteti është mbi ligjin, jo ligji, se pushteti është dhuna dhe dajaku. Janë jashtë sistemit demokratik që Shkodra dhe Shqipëria përqafoi 25 vite më parë” tha zoti Basha. “Do të protesojmë kundër aleancës së qeverisë me krimin, që ka marrë nën këmbë shtetin si ortakë të Edi Ramës. Jemi të vendosur ashtu si 25 vite më parë që të mos nëpërkëmbet Shqipëria, do të protestojmë për të çliruar Shqipërinë nga kthetrat e oligarkisë Rama-Meta. Dëshmorët janë frymëzimi ynë dhe ne do të fitojmë” tha kreu i opozitës së djathtë Lulzim Basha. Në përkujtimet e 2 prillit 1991, ra në sy mungesa e protagonistëve kryesorë të opozitës, ish kreut të PD Sali Berisha dhe e ish kryetares së parlamentit Jozefina Topalli deputete e Shkodrës. Mësohet se ata pikërisht këtë ditë kanë qenë të angazhuar në disa konferenca ndërkombëtare.