KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Basha akuzon Ramën se nuk ka mbajtur premtimet për bujqësinë

Basha akuzon Ramën se nuk ka mbajtur premtimet për bujqësinë

Kreu i opozitës së djathtë Lulzim Basha vazhdon ti kundërvihet me tone të ashpra kryeministrit Edi Rama. Nga Berati ku është takuar me përkrahësit e opozitës, zoti Basha është ndaluar posaçërisht tek problemet e bujqësisë. Sipas tij gjatë 3 viteve në pushtet kryeminstri nuk mbajti asnjë premtim, nuk bëri asgjë për bujqësinë dhe tani ju kërkon bujqëve shqiptarë të marrin kredi. “Pasi e ka telendisur, e ka lodhur, e ka varfëruar në pikën ku i ka zhytur në borxh pas borxhi, ka dalë t’iu thotë fshatarëve që me të vërtetë s’kam bërë gjë për fshatin, por tani po ju hap mundësinë që të merrni kredi” ironizoi zoti Basha. Sipas tij qeveria u ka dhënë 100 milionë euro 11 njerëzve, klientë të Edi Ramës, ndërtuesit të vilës së Surrelit, ndërtuesit të vilës së Dardhës, ndërtuesit të vilës së Durrësit. Sipas tij kryeministri “ka hapur thesin e gënjeshtrave se po vjen ora e përballjes me qytetarët dhe e di fare mirë që jo vetëm nuk ka përmbushur asnjë premtim, por iu ka rënë hasha të gjithë premtimeve që iu ka bërë duke përfshirë së fundmi edhe çështjen e importit të plehrave”.
Zoti Basha është ndalur tek programi i Partisë Demokratike për bujqësinë. “Programi ynë për bujqësinë do të përbëjë 1.5 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ku një pjesë do të shpenzohet për infrastrukturën në funksion të zhvillimit rural, kanalet vaditëse, ujitëse, rrugët e aksesit, tregjet, infrastrukturën përpunuese” tha zoti Basha. Sipas tij nëse PD vjen në pushtet “100 milionë euro do të jepen subvencione kapilare për fermerët, jo për grumbulluesit, as për importuesit një grusht njerëzish që hanë e pinë në mensën e Kryeministrit, por për fermerët si zgjidhja jonë ku djersa e fermerit, e blegtorit, e peshktarit, e bletarit të kthehet në mirëqenie për të, të kthehet në mirëqenie për familjen e tij dhe të shtojë vendet e punës”.