KRYEFAQJA » LAJME » Basha akuzon Ramën se po ndez një hasmëri të re politike
Basha akuzon Ramën se po ndez një hasmëri të re politike
Foto ilustruese

Basha akuzon Ramën se po ndez një hasmëri të re politike

Kreu i opozitës së djathtë Lulzim Basha ka akuzuar kreun e maxhorancës Edi Rama, se është kundër konsensusit të aritur për miratimin e Reformës në Drejtësi, ndërsa shprehet i vendosur se opozita do të zbatojë kushtetutën e vendit dhe ligjet do të kalojnë me konsensus. Reagimi i zotit Basha vjen pasi një ditë më parë me doza ironie, kreu i maxhoancës Rama, i kërkoi PD të bëjë detyrën, pasi pa miratimin e 7 ligjeve të reformës Brukseli nuk i hap negociatat për Shqipërinë. Për kreun e opozitës, pas marrëveshjes historike në parlament për Reformën në Drejtësi, “Edi Rama shfaqet tërë entuziazëm sikur ka zbuluar një vatër të re konflikti”. “Ç’është ky njeri që e zë konsensusi? Që e sëmur rënia dakord me opozitën për interesat e mëdha të vendit dhe vrapon të shpikë armiqësi te reja?” pyet zoti Basha. Ai këmbëngul se opozita e ka kontratën e saj me kushtetutën e vendit, ndërsa “Konsensusi është rruga ku do të kalojnë ligjet”. “Opozita s’ka asnjë minutë kohë për të harxhuar me debate shterpë e as ti përgjigjet llogoreve të reja që gërmon Edi Rama” shkruan zoti Basha duke e akuzuar zotin Rama se po “kërkon të fshehë plojën e madhe të vendit, të zhytur në mjerim, papunësi e mungesë shprese”. “Rama i fryn një zjarri të ri, për të ndezur një hasmëri të re politike, me shpresën se kjo do të largoje vëmendjen e njerëzve drejt një ringu, ku ne refuzojmë të marrim pjesë” shkruan zoti Basha. Lideri i opozitës shprehet se opozita ka tani përpara betejën për zgjedhjet e lira e të ndershme. Sipas tij ajo është “Beteja për ti dhënë mundësinë vendit të clirohet nga sundimi kriminal e i korruptuar që i ka zënë frymën qytetarëve. Betejë që do ta luftojmë e do ta fitojmë me dhe për çdo shqiptar” zotohet zoti Basha.