KRYEFAQJA » LAJME » Basha: Familjet me ndihmë ekonomike, nuk do të paguajnë energjinë deri në 300 kw

Basha: Familjet me ndihmë ekonomike, nuk do të paguajnë energjinë deri në 300 kw

Në takimet me banorë në Kamëz, Bathore e Paskuqan, kreu demokrat Lulzim Basha tha se zgjidhja e problemeve të tyre ekonomike është tek kthimi i parave publike në investime, rritje pagash e pensionesh dhe hapjen e vendeve të punës. Dhe kjo sipas tij, gjen përgjigje në platformën e PD-së. “Hapi i parë do të jetë ulja e taksave dhe hapi i dytë do të jetë që paratë publike do të shkojnë për investime publike, për ndihmë ekonomike, për rritje rrogash dhe pensionesh dhe nuk do të shkojnë për projekte luksi, as për hajdutëri qeveritare. Ua premtoj sot këtu, familjet me ndihmë ekonomike nuk do të paguajnë energjinë deri në 300 kw, pasi do të paguhet me paratë e buxhetit dhe e njëjta gjë me faturën e ujit”. Ndërsa gjatë ndalesës në një biznes fason, kreu demokrat, duke parashtruar paketën fiskale të Partisë Demokratike, kërkoi nga sipërmarrësit rritjen e pagave. Z. Basha theksoi se investimet në infrastrukturë që hapin vende pune do të jenë prioritet i qeverisë së drejtuar prej tij. Ai tha se do t’i jepet fund praktikës antidemokratike që, sipas tij po ndjek qeveria përmes diskriminimit që qeveria u bën bashkive të fituara nga të djathtët.