KRYEFAQJA » LAJME » Basha: Front kundër qeverisë Rama për kthimin e Shqipërisë në një vend normal

Basha: Front kundër qeverisë Rama për kthimin e Shqipërisë në një vend normal

Kryetari i PD në opozitë Lulzim Basha, ka ripërsëritur thirrjen për krijimin e një fronti kundër qeverisë aktuale dhe kthimin e Shqipërisë në një vend normal. “E zeza që kemi përballë shkon përtej përballjes tradicionale mes së djathtës dhe së majtës. Përballë kemi krimin, korrupsionin, arrogancën e paimagjinueshme që prej kohës se diktaturës, që jo vetëm të vjedh e të poshtëron, por pastaj edhe të tall e të përqesh. Çdo qënie njerëzore me dinjitet minimal nuk e pranon këtë, ndaj bëjmë thirrje dhe kërkojmë të formojmë një front të bashkuar me Partinë Demokratike” tha zoti Basha në takimin me struktura drejtuese të Partisë Demokratike në Cërrik. “Nëse na bashkon dekriminalizimi, lufta kundër drogës dhe vota e lirë,…nuk duhet të kemi asnjë ngurrim të bashkëpunojmë me këdo, për t’u përballur dhe fituar kundër dikujt që bashkëpunon me të gjithë përveç qytetarëve” shtoi ai. Zoti Basha tha se “Partia Demokratike është gati dhe ne e nisim marshimin tonë pa kthim për përmbysjen e tiranisë së krimit dhe varfërisë dhe kthimin e Shqipërisë në një vend normal, ku qeveria iu shërben njerëzve dhe jo anasjelltas”.