KRYEFAQJA » LAJME » Basha: Gati të marrim në dorë fatet e Shqipërisë
Basha: Gati të marrim në dorë fatet e Shqipërisë

Basha: Gati të marrim në dorë fatet e Shqipërisë

Kreu i opozitës Lulzim Basha ka përsëritur akuzat e njohura ndaj qeverisë dhe kryeministrit Rama se po thellon varfërinë në Shqipëri, ndërsa tha se PD është e gatshme të udhëheqë ndryshimin. Zoti Basha i bëri komentet e tij gjatë një vizite në Burrel, një nga zonat më të varfëra në vend. “Kryeministri që në njërën dorë mban pincat për t’u prerë dritat qytetarëve, në dorën tjetër mban prangat për t’i burgosur shqiptarët, në tjetrin mban shkopin për t’i damkosur shqiptarët. Ky kryeministër duhet larguar një orë e më parë. Vetëm kur të largohet ky kryeministër Shqipërisë do t’i bie dielli” tha zoti Basha. Sipas tij papunësia, rritja e çmimeve, rritja e faturave, rritja e taksave, kriza ekonomike janë produkt i keqqeverisjes, i korrupsionit.
Kreu i PD tha se demokratët janë gati të sjellin ndryshimin e madh që presin shqiptarët, përmes politikave që do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhë punësimin, ku paratë që mblidhen nga taksat e qytetarëve të shkojnë per investime dhe jo në xhepat e qeveritarëve. “Ne jemi gati t’i prijmë një ndryshimi të madh, ndryshim i cili në thelb do të ketë për detyrë që këto para t’ua kthejë qytetarëve shqiptarë. Duke ulur taksat, pra duke mos e futur dorën kaq thellë në xhepin e shqiptarit në radhë të parë. Duke marrë një sëri masash që e ndihmojnë shtresat më të goditura siç është ulja e çmimit të energjisë elektrike, falja e kamatëvonesave. E duke marrë të tjera hapa të cilat heqin apo lirojnë lakun që i ka ardhur në fyt çdo shqiptari” tha lideri i opozitës.