KRYEFAQJA » LAJME » Basha: Gjendja në vend është e rëndë, përgjegjësia e PD-së është të formulojë rrugët e daljes
Basha: Gjendja në vend është e rëndë, përgjegjësia e PD-së është të formulojë rrugët e daljes

Basha: Gjendja në vend është e rëndë, përgjegjësia e PD-së është të formulojë rrugët e daljes

Ndërsa PS në pushtet vlerëson se në qeverisjen e saj ka bërë shumë për Shqipërinë, PD në opozitë thotë se vendi është në një gjendje shumë të rëndë. Pas një bisede të martën me ambasadorin amerikan në Tiranë Donald Lu, kreu i PD Lulzim Basha tha se partia e tij ka marrë “përsipër misionin e përballjes me keqqeverisjen dhe krimin e lidhur me qeverisjen”. “Vrasjet mbeten të pazbardhura, shkaku i varfërisë është korrupsioni qeveritar, drejtësia nuk vendoset… në këtë gjendje të rëndë, përgjegjësia e PD-së është të formulojë rrugët e daljes” tha zoti Basha.
Kreu i PD tha se partia e tij ndonëse në opozitë, është e vendosur për realizimin e Reformës në Drejtësi. “Për këtë të mos ketë asnjë pikë dyshimi dhe besoj se me ndihmën e aleatëve dhe partnerëve tanë do t’ia dalim” tha ai. Duke ju referuar perspektives veçanërisht zgjedhjeve të ardhshme parlamentare zoti Basha tha pas takimit me ambasadorin Lu se “Kam kërkuar dhe kam marrë mbështetje të vazhdueshme për rrugëdaljet kryesore për reformën elektorale, zgjedhjet e lira dhe të ndershme”. Ai ju referua në këtë konteks edhe procesit të dekriminalizimit, i cili në këndvështrimin e kreut të opozitës, që prej ditës së nesërme duhet të jetë një realitet ligjor që duhet të sjellë pasojat e para për personat e inkriminuar në Parlament, kryetar bashkish dhe nivele të tjera të pushtetit.