KRYEFAQJA » LAJME » Basha i përgjigjet Ramës: Takohemi, por zbatoni vendimet e Gjykatës Kushtetuese
Basha: PD mbështet propozimet e ndërkombëtarëve

Basha i përgjigjet Ramës: Takohemi, por zbatoni vendimet e Gjykatës Kushtetuese

Disa orë pasi kryetari i maxhorancës dhe kryeministri Edi Rama, publikoi ftesën zyrtare për dialog ndaj kreut të opozitës Lulzim Basha, ky i fundit ka kthyer përgjigje. Letra e cila ishte shkruar në të njëjtin format dhe gati të njëjtën gjatësi, në thelb kishte një përgjigje “po me kushte”. Kreu i opozitës kujtonte se “Për më shumë se dy vite, kërkesës dhe gatishmërisë së opozitës për dialog të mirëfilltë e civil, ju i jeni përgjigjur me veprime ose mosveprime që kanë cënuar Kushtetutën, shtetin ligjor dhe/ose marrëveshjet politike të dakortësuara me konsensus – ligjet për Nëpunësin Civil, Reformën Territoriale, KLD, Gjykatën e Lartë, atë Administrative, për Mediat Audiovizuale (RTSH), etj”. Madje për kreun e opozitës maxhoranca vazhdon të pengojë marrëveshjen e 24 dhjetorit 2014 për dekriminalizimin, për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe për komisionet hetimore.
Duke e cilësuar ftesën e zotit Rama si “një hap të vonuar”, kreu i opozitës Basha ndër të tjera shkruan se “Si gjithmonë, jam i gatshëm të takohemi për çështjet më të rëndësishme: zbatimi pa pengesa i dekriminalizimit, krijimi i kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme, vijimi i duhur i reformës në drejtësi dhe çështje të tjera të rëndësishme përfshirë një reformë të plotë Kushtetuese”. Po zoti Basha thekson se “…nuk mund të takohemi assesi për të diskutuar opsione antikushtetuese…” duke shtuar se “…ftesa juaj merr kuptim vetëm nëse pala juaj e pranon këtë parim ashtu si opozita…zbatimit të menjëhershëm të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për intepretimin e nenit 70/4 të Kushtetutës.”. “Vetëm kështu bëhet e besueshme se jeni gati” përfundon letra zoti Basha, si një përgjigje e ftesës për dialog të kreut të maxhorancës Rama.

letra-e-bashes-1