KRYEFAQJA » LAJME » Basha i shpreh shqetësimet ambasadorit Hill
Basha me Hill

Basha i shpreh shqetësimet ambasadorit Hill

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u takua të hënën me ambasadorin Kristofer Hill, ish diplomati i parë amerikan rezident në Shqipëri pas rrëzimit të regjimit komunist në fillim të viteve ’90. Kryedemokrati shprehu shqetësim për rritjen e nivelit të kriminalitetit, korrupsionit dhe kultivimit të drogës në vend. Për këto arsye, tha zoti Basha, zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë të kërcënuara. Ndërkohë sipas kreut të së djathtës, shumica e majtë po vonon Reformën Zgjedhore për të pamundësuar miratimin e propozimeve të opozitës sikundër është votimi elektronik, apo çështjen tjetër mjaft të rendësishme që ka të bëjë me financimin e Partive. Ndaj për kreun e PD Basha, Shqipëria ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm për demokracinë dhe shtetin ligjor.
Ambasadori Hill ka vlerësuar ndryshimet që kanë ndodhur në Shqipëri duke shprehur krenarinë që SHBA kanë qenë bashkudhëtare të Shqipërisë në këtë transformim të madh. Shqipëria, tha zoti Hill i ka patur objektivat e qarta, anëtarësimin në NATO dhe në BE, ndërsa shprehu kënaqësinë që Partia Demokratike ndonëse në opozitë nuk resht së punuari për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.