KRYEFAQJA » LAJME » Basha i shpreh shqetësimin Danielsonit: Zgjedhje e lira kërcënohen nga droga qeveritare
Basha i shpreh shqetësimin Danielsonit: Zgjedhje e lira kërcënohen nga droga qeveritare

Basha i shpreh shqetësimin Danielsonit: Zgjedhje e lira kërcënohen nga droga qeveritare

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka pritur të mërkurën Drejtorin e Zgjerimit në Komisionin Europian, Kristian Danielson. Sipas njoftimit të shpërndarë nga vetë zoti Basha në Fejsbuk, ai ka ndarë me bashkëbiseduesin vlerësimin për marrjen e rekomandimit për hapjen e negociatave Shqipëri-BE, ndërsa ka shprehur shqetësimin për sfidat e mëdha që sipas tij po has Shqipëria.
Kryetari Basha ka konfirmuar se PD ka dhënë dhe jep mbështetje totale për integrimin europian të Shqipërisë dhe është e vendosur të vazhdojë kontributin e saj maksimal për të ardhmen europiane të saj. Ai ka marrë nga zoti Danielson vlerësime për “…rolin dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Partisë Demokratike për integrimin europian gjatë qeverisjes së saj, si dhe në opozitë, në veçanti për reformën në drejtësi”.
Kreu i opozitës shqiptare ka shprehur shqetësimin për “Moszbatimin e ligjit të dekriminalizimit si provë e mungesës së vullnetit për tu ndarë me krimin dhe për të respektuar sundimin e ligjit” duke e cilësuar se “një problem i madh për demokracinë dhe shtetin ligjor”. Për zotin Basha “Kthimi i drogës në aktivitetin më të madh prodhues në vend, investimi i krimit të organizuar për të ndërtuar një infrastrukturë të tërë të prodhimit dhe trafikimit të drogës, dhe mosveprimi i shtetit ndaj trafikantëve, janë indikacione të qarta të rolit nxitës dhe mbrojtës për këtë aktivitet nga segmentet më të larta shtetërore”. Kreu i PD i tha Drejtorit për Zgjerimin në Komisionin Europian, Kristian Danielson se “Sfida më e madhe sot është garantimi i zgjedhjeve të lira në kushtet kur procesi zgjedhor kërcënohet nga droga me mbështetje qeveritare”.