KRYEFAQJA » LAJME » Basha : Rruga e vetme e konsensusit, vendet e rezervuara; Rama: Partitë larg duart nga skanimi!
Ne do të rikthejmë sigurinë publike në vend.

Basha : Rruga e vetme e konsensusit, vendet e rezervuara; Rama: Partitë larg duart nga skanimi!

Përkundër lëshimeve të kryeministrit Rama për të arritur miratimin e Reformës në Drejtësi, kreu i opozitës Basha këmbëngul se rruga e vetme e konsensusit janë pranimi i vendeve të rezervuara në institucionet e larta të drejtësisë. Zoti Basha ka dalë pasditen e së hënës në një konferencë shtypi dhe ka deklaruar se zoti Rama ka pranuar vetëm gjysmën e asaj që ka kërkuar opozita. “Pranon parimin, por nuk dëshiron ta aplikojë atë siç rekomandon Komisioni i Venecias në katër institucionet e reja të sistemit të drejtësisë, por në vetëm dy prej tyre. Dëshiron ta aplikojë në KLGJ dhe KLP, me të cilën ne kemi rënë dakord që prej muajit shkurt” tha zoti Basha. Sipas tij PD ka përzgjedhur modelet e vendeve të rezervuara për këto dy institucione vendimmarrëse. “Komisioni i Venecias kërkoi zbatimin e këtij parimi edhe për dy institucione të tjera, Komisionin e Posaçëm të Verifikimit dhe Komisionin e Apelimit”, tha zoti Basha.
Dhe ndërsa zoti Basha ishte në konferencë shtypi, kryeministri Rama shkruajti në Fejsbuk: “E përsëris: Formulë zgjidhje me opozitën po, kompromis partiak për skanimin e gjykatësve e prokurorëve kurrë! Partitë larg duart nga skanimi!” shkruajti zoti Rama. Situata duket tashmë e bllokuar dhe do të duhen ndërhyrje të tjera.