KRYEFAQJA » LAJME » Basha mosbesues ndaj qeverisë Rama për menaxhimin e krizës së refugjatëve
Basha mosbesues ndaj qeverisë Rama për menaxhimin e krizës së refugjatëve

Basha mosbesues ndaj qeverisë Rama për menaxhimin e krizës së refugjatëve

Kreu i opozitës shqiptare Lulzim Basha është shprehur mosbesues ndaj qeverisë së kryeministrit socialist Edi Rama për të menaxhuar krizën e refugjatëve, nëse ajo do të përfshinte Shqipërinë. Zoti Basha i cili po merr pjesë në takimin e organizuar nga Partia Popullore Europiane në Vjenë, tha gjatë fjalës së tij se “Mundësitë e kësaj qeverie për të menaxhuar krizën e refugjatëve janë shumë të limituara”. Arsyet sipas tij janë “… për shkak të situatës së keqe të sundimit të ligjit, e cila është përkeqësuar nga influenca e krimit të organizuar, e cila po bëhet gati për të mobilizuar trafikimin e qenieve njerëzore përtej Adriatikut dhe kjo mund të përkeqësohet akoma më tej nga mundësia e infiltrimit të elementëve terrorist”. “Prandaj Shqipëria ka nevojë të jashtëzakonshme për mbështetjen e Bashkimit Europian dhe të NATO-s” tha kreu i opozitës shqiptare.
Por pakënaqësia e zotit Basha në takimin e PPE shkoi edhe më tej. Ai u ndal  tek implmentimi i ligjit të dekriminalizimit në Shqipëri, të cilin e konsideroi si “shumë të rëndësishëm për stabilitetin e saj, për të ardhmen e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare që ato të jenë të lira e të ndershme, ndryshe nga ç’ndodhi në zgjedhjet e 2015”. Lideri i opozitës së djathtë duke folur për reformën në drejtësi që po ndërmerret në Shqipëri, këmbënguli që ajo “nuk duhet, nuk mund dhe nuk do të miratohet me votat e personave me rekorde kriminale që janë të ulur sot në parlament”. “Ata duhet te largohen nga parlamenti për të përgaditur rrugen për reformën në drejtësi, reformën zgjedhore dhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme, të cilat për Shqipërinë janë sfida përcaktuese për integrimin europian dhe të ardhmen e saj” tha zoti Basha.