KRYEFAQJA » LAJME » Basha: Ndryshimet e Ramës në qeveri arnime korruptive
Basha: Ndryshimet e Ramës në qeveri arnime korruptive

Basha: Ndryshimet e Ramës në qeveri arnime korruptive

Kreu i PD Lulzim i ka cilësuar si arnime korruptive ndryshimet më të fundit e bëra nga kryeministri Rama në kabinetin e tij. Në një mesazh të tij në Fejsbuk vlerësohet se “Edhe pse lufta ndaj korrupsionit është një prioritet absolut sic e vuri në dukje edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Edi Rama mbetet i vendosur në promovimin e vjedhjes dhe hajdutërisë”. Sipas zotit Basha “Pasi bëri kurban Shkëlqim Canin për të mbuluar vjedhjen e 400 milionë dollarëve në tatime dhe dogana, me caktimin e Arben Ahmetajt si ministër financash, Rama konfirmoi se plaçkitja, zhvajtja, mbushja e xhepave me paratë e shqiptarëve, janë standartet e tij të qeverisjes”. Për kreun e PD “Ahmetaj është ndër më të besuarit e bandës plaçkitëse të Edi Ramës. Ai ka feksur me landfillin e Elbasanit nga ku vidhen 10 mijë euro para publike në ditë, dhe ka shkëlqyer si ndërmjetësi i pazarit të fshehtë, të paligjshëm dhe korruptiv për mega-aferën Skavica” shkruan Basha në Fejsbuk.
Me një gjuhë të ngjashme kreu i PD shprehet edhe për ministren e re të ekonomisë Milva Ekonomi. “Rama dekoroi sot dhe modelin e koncesioneve korruptive në shëndetësi, një prej vjedhjeve më të mëdha në historinë e vendit ku u ndanë mbi 338 milionë euro me miqtë dhe klientët e tij. Si zv.ministre e Shëndetësisë zonja Ekonomi ka qenë një punëtore e palodhur në këtë skemë të madhe zhvatje. Për këtë kontribut ajo shpërblehet nga Rama duke u emëruar Ministre e Ekonomisë”. “Mesazhi i Ramës është i qartë. Vidh, bëhesh deputet dhe ministër. Vidh më shumë, Edi Rama të beson financat, të beson ekonominë e vendit” shkruan kreu i PD.
Sipas tij “Këto arnime korruptive pasqyrojnë vetëm interesat financiare të Edi Ramës. Ato do ta thellojnë edhe më tej rekordin e vjedhjes, varfërinë dhe krizën që janë produktet e vetme të kësaj qeverie. Ndryshimi i vërtetë nis me largimin e Edi Ramës dhe bandës së tij plaçkitëse” përfundon kreu i PD Lulzim Basha reagimin e tij në Fejsbuk.