KRYEFAQJA » LAJME » Basha: Në Dibër Dibër fitoi pushteti abuziv i Edi Ramës, klientët e tij dhe krimi i lidhur me të
Basha: Në Dibër Dibër fitoi pushteti abuziv i Edi Ramës, klientët e tij dhe krimi i lidhur me të

Basha: Në Dibër Dibër fitoi pushteti abuziv i Edi Ramës, klientët e tij dhe krimi i lidhur me të

Fitorja e kandidatin e ASHE, mjekut Muharem Rama, si kreu i ri i Bashkisë së Dibrës, është konsideruar si fitore e kartelit të drogës, krimit dhe korrupsionit, nga kreu i opozitës Lulzim Basha. Në një dalje për mediat dy orë pas mbylljes së numërimit të votave dhe shpalljes së fitores nga mazhoranca e majtë, zoti Basha tha se “Në Dibër nuk pati zgjedhje politike, por përplasje mes qytetarëve të bashkuar me opozitën dhe kartelit të drogës, krimit dhe korrupsionit”. “Ne e dinim, e paralajmëruam dhe kjo ishte arsyeja pse gjithë PD ishte në Dibër. Jo për të kapur pushtetin në Bashkinë e Dibrës, por për të qenë krah qytetarëve të Dibrës në këtë përballje të pashembullt, jo mes dy kampeve politike, por mes opozitës dhe kartelit të drogës, krimit dhe korrupsionit” përsëriti ai.
Kreu i PD pranoi se koalicioni i djathtë e humbi këtë, ndërsa falenderoi votuesit demokratë që mbështetën kandidatin e opozitës. Sipas tij ata “… nuk u joshën, nuk u blenë, nuk u shitën, nuk u trembën, nuk u mposhtën por votuan për bindjen e tyre të lirë”. Duke këmbëngulur sërish se “Fatkeqësisht këtë betejë e fitoi karteli i krimit dhe humbi politika” kreu i opozitës tha se “Në Dibër u asgjësua krejtësisht procesi politik”. “Sot në Dibër nuk humbi vetëm një parti politike, por humbi e gjithë Shqipëria. Humbi politika e ndershme, humbi liria, dinjiteti njerëzor” tha zoti Basha. “Në Dibër humbën dhe të varfrit që u joshën nga paratë e krimit, korrupsionit dhe paratë e drogës. Humbën dhe ata që u trembën para presionit të pushtetit, kriminelëve të veshur me pushtet, segmenteve të policisë të bërë njësh me krimin. Humbën dhe ata që nuk menduan për të nesërmen por panë vetëm përfitimin e momentit. Në Dibër humbën dhe ata që votuan për Muharem Ramën. Koha do ta tregojë se të vetmit fitues sot në Dibër ishin pushteti abuziv i Edi Ramës, klientët e tij dhe krimi i lidhur me të” tha kreu i opozitës Lulzim Basha.