KRYEFAQJA » LAJME » Basha në Fier: Rimëkëmbje ekonomike pas largimit të oligarkëve!

Basha në Fier: Rimëkëmbje ekonomike pas largimit të oligarkëve!

Opozita shqiptare vazhdon fushatën për të prezantuar programin e saj për rimëkëmbjen ekonomike të vendit. Të hënën kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte në qytetin e Fierit. “Çelësi i programit tonë, kyçi i ofertës së Partisë Demokratike për të nesërmen është ky: paratë që sot përfundojnë në xhepat e oligarkëve t’ia kthejmë qytetarëve përmes investimeve publike, infrastrukturë, në shëndetësi, në arsim, në kopshte, në çerdhe, në ujësjellës, në vaditje, në subvencionime për bujqësinë” u tha zoti Basha të pranishmëve. Ai bëri të ditur se nëse PD do të vijë në pushtet, do të uli taksat me qëllim sipas tij “që qytetarët të kenë më shumë lekë për të shpenzuar për veten e tyre dhe familjet e tyre”. “Të fillojë dhe të rifillojë qarkullimi i lekut, të ringrihet ekonomia bazuar mbi parime të shëndosha, ku parimi numër një është largimi i kësaj klike të korruptuar, kësaj kuçedre të parave të shqiptarëve e cila kërkon gjithçka për vete dhe asgjë për qytetarët” u tha zoti Basha përkrahësve të opozitës në Fier.