KRYEFAQJA » LAJME » Basha në Mirditë: Rama synon vetëm para dhe pushtet
Basha në Mirditë: Rama synon vetëm para dhe pushtet

Basha në Mirditë: Rama synon vetëm para dhe pushtet

Në aktivin e Partise Demokratike të Mirditës, kryedemokrati Basha u ndal tek ajo që e ka cilësuar përplasje të policisë së Lezhës dhe Rrëshenit për 4.2 tonët e drogës, të kapura në ish –pularinë e qytetit. Kjo ngjarje për Lulzim Bashën është dëshmia e kthimit të shtetit në bandë e cila përplaset për pazare droge.
“U rrethua ish-pularia sepse ishte sinjalizuar prani e madhe e drogës. Çfarë ndodhi?! Policia e Rrëshenit u tërhoq, iku fare nga skena, Policia e Lezhës nuk pranonte të ndërhynte. A nuk janë këta policët që i marrin shpirtin qytetarit se nuk ke vënë rripin e sigurisë?! A nuk janë këta që Saimir Tahiri i çon për të marrë fermerin, fshatarin, qytetarin që vë pesë tjegulla në çatinë e vet dhe i rras brenda, i terrorizon, apo për një faturë tatimore, apo për çështje të energjisë dhe kur shkojnë te pularia për të kap drogën sillen si pulat vetë” tha kreu i PD.
Për Bashën kryeministri Rama treguar në tre vite se shqetësohet vetëm për pasurimin e tij dhe të klienteve të pushtetit, sikundër për famen personale me ekspozita dhe promovime libri. “Sot në Shqipëri kemi një qeverisje e cila shqetësohet vetëm për pasurinë e vet dhe vetëm për pushtetin e vet. Sot në Shqipëri kemi një regjim i cili shqetësohet vetëm për paratë dhe pushtetin e vet. Për paratë dhe pushtetin e vet, kjo qeveri shkel ligjin, mbron kriminelët, godet të pambrojturit. Për paratë dhe pushtetin e vet Edi Rama e ka shndërruar buxhetin e shtetit në pasurinë e tij private me të cilën pasurohet ai dhe një grusht njerëzish” tha zoti Basha në aktivin e Partise Demokratike të Mirditës.