KRYEFAQJA » LAJME » Basha: Pa dekriminalizim nuk ka zgjedhje!
Basha: Pa dekriminalizim nuk ka zgjedhje!

Basha: Pa dekriminalizim nuk ka zgjedhje!

Opozita shqiptare vazhdon të këmbënguli se pa dekriminalizimin e pushtetit nuk mund të ketë zgjedhje të lira në vend. Gjatë takimit me përkrahës të PD në Tiranë, kreu i saj Lulzim Basha tha se “Kriminalizimi i shtetit nga Edi Rama dhe Saimir Tahiri i parapriu kthimit të Shqipërisë në një hambar droge”. “Kjo do të thotë se pa zbatuar reformën më të rëndësishme në vend ligjin e dekriminalizimit, ne nuk mund të ecim përpara, nuk mund të ketë as zgjedhje, as procese të tjera normale. Siguria mirëqenia janë në rrezik” shtoi ai.
Zoti Basha akuzoi kryeministrin Rama se me paratë e krimit, drogës dhe plehrave, po synon të blejë votat e shqiptarëve në zgjedhjet e ardhshme. Sipas liderit demokrat në tre vjet qeverisje socialiste, qytetarët janë përballur me shtimin e varfërisë dhe papunësisë. “Gjithçka ka bërë këto tre vite ka qenë kundër interesit të qytetarëve. Me klimën asfiksuese ndaj biznesit, ndaj punëdhënësve që ka shkatërruar mijëra vende pune në vend që të hapte qoftë dhe një të vetëm të ri; me kthimin e shëndetësisë shqiptare në mesjetë përmes koncesioneve korruptive dhe hajdutërisë së Ilir Beqës me Edi Ramën; me shkatërrimin e sistemit arsimor, duke djegur ëndrrat e mijëra maturantëve. Ndaj kanë vendosur një aleancë të hapur me drogën, me krimin, me mafian ndërkombëtare të plehrave” tha kreu i opozitës Lulzim Basha.