KRYEFAQJA » LAJME » Basha paralajmëron reagime të ashpra nëse Xhafa emërohet ministër i brendshëm
Basha këmbëngul: "Qeveri teknike me mbështetje politike"

Basha paralajmëron reagime të ashpra nëse Xhafa emërohet ministër i brendshëm

Opozita e djathtë ka rritur ndjeshëm kundërshtimet e saj ndaj kandidatit për postin e ministrit të brendshëm deputetit socialist Fatmir Xhafaj. Kryetari i PD Lulzim Basha ka përdorur një fjalor të ashpër ndaj zotit Xhafa duke thënë se ai duhet të tërhiqet pasi nuk do të lejohet të qëndrojë asnjë minutë ministër i brendshëm. Në qendër të sulmit të opozitës, protesta e së cilës po mbyll javën e katërt, ishte dhe kryeministri Rama. “Sakrifica e një populli të tërë për ata mijëra të rinj dhe të reja të klonuar në kufijtë e Shqipërisë që ndiqnin ëndrrën e lirisë që gjendej jashtë diktaturës, rrezikon të përdhoset nga një kryeministër nip i Byrosë Politike të Enver Hoxhës, i cili nuk u mjaftua me gjëmën e kriminalizimit dhe drogës, por ka vendosur t’i propozojë shqiptarëve për ministër të Brendshëm, një nga hetuesit më famkeq të diktaturës së Enver Hoxhës, një njeri që ka torturuar me duart e tij djem dhe vajza të Krujës, një njeri që pasi hoqi kostumin e hetuesisë veshi bashkë me vëllain e tij kostumin e narkotrafikantit, ky është Fatmir Xhafaj” tha kreu i PD Lulzim Basha. “Le të zotohemi bashkë se Fatmir Xhafa nuk kalon pragun e ministrisë së Brendshme përveçse mbi trupat tanë” ngriti më tej tonet ai. Zoti Basha këmbënguli se “E vetmja rrugë për t’i hapur Shqipërisë perspektivën europiane është largimi i Ramës. Është qeveria teknike me mbështetje të gjerë politike pa persona të përlyer me krimin dhe pa persona që kanë përlyer duart me gjakun e shqiptarëve të pafajshëm gjatë diktaturës komuniste, me burra dhe gra, djem e vajza të ndershme që do të sigurojnë luftë kundër krimit, drogës, zgjedhje të lira dhe të ndershme. I bëj thirrje Fatmir Xhafës të tërhiqet nga aventura që ka nisur, ai nuk do të jetë asnjë minutë ministri i Brendshëm i shqiptarëve” tha zoti Basha para përkrahësve entuziastë të opozitës.  Reagimi i opozitës vjen kur afati i dekretimit të ministrave të rinj të kabinetit Rama nga presidenti Nishani po shkon drejt fundit. Emri i zotit Xhafa duket se është më i kundërshtuari.