KRYEFAQJA » LAJME » Basha paralajmëron reforma radikale
Opozita shqiptare vizitë në SHBA

Basha paralajmëron reforma radikale

Opozita shqiptare po paralajmëron reforma radikale në rast se ajo vjen në pushtet pas zgjedhje parlamentare të planifikuara në mesin e vitit të ardhshëm. “Akt i parë i qeverisë se djathtë do të jetë anullimi i ligjit të arsimit të larte, duke e konsideruar atë klientelist” u tha të rinjve në Klos gjatë një takimi kreu i PD Lulzim Basha. Kreu i opozitës akuzoi qeverinë e majtë të kryeministrit Rama se gjatë tre vjetëve në pushtet, bilanci i investimeve është zero.  “Edi Rama rri dy orë në ditë në televizor ndërkohë që produktin e ka zero. Zero për punësimin, zero për shëndetësinë falas, zero për legalizimin” tha zoti Basha. Sipas tij “1.2 miliardë dollarë të zhdukura në një vit të vetëm, janë baras me 900 shkolla të reja të ndërtuara nga fillimi, janë baras me 6 vjet fatura nacionale e energjisë elektrike e mbledhur së bashku e të gjithë shqiptarëve. Pra, është njësoj sikur shqiptarët 6 vjet të mos paguanin energjinë, por ta kishin falas nga shteti” tha kreu i PD-së Lulzim Basha. Deklaratat e tij vijnë ndërsa qeveri socialiste e kryeministrit Rama e konsideron si nje sukses të madh të saj mbledhjen rregullisht të të ardhurave nga pagesa e energjisë. Vetë zoti Rama ka deklaruar se nëse gjatë viteve të shkuara nëse energjia nuk do të vidhej, por do të ishte paguar, situata në shëndetësi, arsim dhe sigurime shoqërore  do të ishte shumë e favorshme.