KRYEFAQJA » LAJME » Basha: Parlament me dy dhoma
Basha: Parlament me dy dhoma

Basha: Parlament me dy dhoma

Kryetari i opozitës së djathtë, Lulzim Basha, ka hedhur idenë e ndryshimit të strukturës legjislative në Shqipëri. Sipas tij është nevojshme që parlamenti të organizohet me dy dhoma. Duke folur në emisionin “Opinion” një nga më të shikuarit në vend, zoti Basha spjegoi idenë e tij. Të krijohet Dhoma e dytë e Senatit e zgjedhur nga populli dhe të marrë përsipër atë që i është besuar Gjykatës Kushtetuese; të krijohen mekanizma legjitimë të kontrollit, pasi Senati nuk mund të jetë si Kryeministri; të ulet numri i parlamentarëve me kusht që kjo të mos jetë një kozmetikë dhe të mbahet nën kontroll kosto e vendimmarrjes politike. Por sipas kreut të opozitës kjo kërkon ndërhyrje në Kodin Zgjedhor.
Në fakt kjo ide e zotit Basha nuk është e re në politikën shqiptare. Vite më parë ajo është hedhur nga zoti Sabri Godo, një prej politikanëve më të njohur shqiptarë. Në atë kohë zoti Godo propozoi që Shqipëria të zgjidhte modelin italian, parlamentin me dhomën e deputetëve dhe senatin. Një nga arsyet sipas tij ishte zvogëlimi i gabimit në përzgjedhjen e përfaqësuesve nga populli. Ideja është përpunuar edhe më tej në vitet e mëpastajme. Sipas atyre që mbrojnë këtë skemë,janë disa zhvillime në politikën shqiptare, përfshirë dhe krizat e shpeshta parlamentare për miratimin e ligjeve, apo zgjedhjen e zyrtarëve të lartë, që e bëjnë të domosdoshme ndryshimin e strukturës legjislative, nga parlamenti me një dhomë në atë me dy dhoma.