KRYEFAQJA » LAJME » Basha pas takimit me Nuland, “SHBA do të ndihmojnë Shqipërinë të realizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme”
Basha pas takimit me Nuland, "SHBA do të ndihmojnë Shqipërinë të realizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme"

Basha pas takimit me Nuland, “SHBA do të ndihmojnë Shqipërinë të realizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme”

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka njoftuar personalisht takimin e tij me Ndihmës Sekretaren amerikane të Shtetit, Victoria Nuland, në kuadrin e një vizite që ai po kryen në SHBA, në krye të një delegacioni të opozitës shqiptare. Në një postim në statusin e tij ne Fejsbuk, zoti Basha shkruan se “SHBA do të ndihmojnë Shqipërinë të realizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme si një parakusht për të ecur përpara për zhvillimin e saj dhe në rrugën drejt integrimin në BE”.
Deklarata e zotit Basha vjen ndërsa në Tiranë ka patur zhvillime interesante. Maxhoranca nëpërmjet disa eksponentëve të rëndësishëm të saj, ka paralajmëruar opozitën se nëse ajo nuk miraton Reformën në Drejtësi,  vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Opozita nga ana e saj ka deklaruar më parë se kërkon zgjedhje të reja, por me një qeveri teknike. Zyrtarë të saj kanë thënë se ky parlament, për shkak sipas tyre, të pranisë të personave të inkriminuar nga maxhoranca, nuk ka moral të miratojë Reformën në Drejtësi. Komentatorë të zhvillimeve politike i konsiderojnë deklaratat e palëve më shumë si pjesë e luftës politike, se sa mundësi që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Sipas ligjit shqiptar, zgjedhjet e përgjithshme do të duhet të mbahen në mesin e vitit 2017, zgjedhje që këtë vit koinçidojnë edhe me zgjedhjen e kreut të shtetit. Deri atëhere do të duhen të ndërmerren edhe ndryshime në reformën zgjedhore e cila sapo ka nisur, dhe kjo kërkon kohën e saj të nevojshme.