KRYEFAQJA » LAJME » Basha: PD po reflekton mbi gabimet e bëra
Basha: PD po reflekton mbi gabimet e bëra

Basha: PD po reflekton mbi gabimet e bëra

Opozita e djathtë shqiptare duket se po reflekton rreth gabimeve të saj në të shkuarën, duke tentuar të rifitojë besimin në të ardhmen me një model të ri politik. Kreu i PD Lulzim Basha duke folur në ceremoninë e prezantimit të Akademisë Politike të të rinjve demokratë, tha se partia e tij vjen para shqiptarëve me një reflektim të thellë mbi gabimet  e bëra. “Kemi patur stokun tonë të gabimeve , gabime të cilët padyshim patën rolin e tyre në rrotacionin politik të 2013. Por ne kishim një vizion, kishim një program dhe një plan; shumë u realizuan dhe gabime u bënë. Duhet të jemi krenarë për çfarë arritëm por kokëulur, zemërhapur t’u themi shqiptarëve:  Po, kemi gabuar, kemi mësuar, kemi reflektuar dhe të shohim përpara” tha lideri demokrat. Zoti Basha e konsideroi domosdoshmëri që Partia Demokratike të fitojë zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm, sipas tij për të sjellë një model të ri politik dhe shoqëror. “Nuk e kërkojmë dhe nuk do ta kërkojmë votën për të sjellë dhe vetëm për të sjellë Partinë Demokratike në pushtet, por për të sjellë qytetarin shqiptar në pushtet, qytetarin e lënë në periferinë e politikës, të harruar, të braktisur, të goditur, të varfëruar, të dhunuar nga arroganca, krimi dhe vjedhja qeveritare. Votën do ta kërkojmë për një model të ri politik dhe shoqëror ku pushteti do të jetë i kufizuar dhe qytetari do të jetë i fuqizuar” tha zoti Basha. Ai premtoi para të rinjve demokratë për qarkullim elitash dhe krijimin e hapësirave për të bërë karrierë brenda PD. “Dhe që politika të mbetet përherë e mirë përherë në shërbim të qytetarëve dhe përherë moderne, e freskët, e motivuar, e gatshme për beteje të, për interesin publik, jo për interesa të veçanta, ajo duhet të garantojë që njerëzit vijnë, gjejnë mundësi, zhvillojnë karriera dhe pastaj largohen” tha zoti Basha në Akademinë Politike.