KRYEFAQJA » LAJME » Basha: Policia e implikuar në trafikun e drogës! Tahiri: Opozita është bërë bashkë me botën e krimit!
Basha: Policia e implikuar në trafikun e drogës! Tahiri: Opozita është bërë bashkë me botën e krimit!

Basha: Policia e implikuar në trafikun e drogës! Tahiri: Opozita është bërë bashkë me botën e krimit!

Përplasja mes PD të opozitës dhe ministrit të brendshëm Saimir Tahiri, ka njohur një episod të ri. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha akuzoi të mërkurën dy drejtorë policie, të Korçës dhe të Gjirokastrës, se janë të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës. Zoti Basha tha se veprimtaria e dy zyrtarëve të lartë të policisë janë dokumentuar nga shërbimet partnere, njësoj si ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. “A do jetë krenar Edi Rama sot për ministrin e tij, pas fakteve të reja që publikojmë sot, të dokumentuara po kështu nga parnerët, për faktin se dy drejtorët e tij të Policisë në Korçë dhe në Gjirokastër janë të implikuar drejtpërdrejt në trafikun e drogës?” pyeti zoti Basha.”Era shtet është kjo?! Kjo është era e rënies së shtetit në duart e mafies. Kjo është era e përzierjes së kryeministrit dhe qeverisë së tij me krimin” tha më tej kreu i opozitës.
Por ministri i brendshëm Saimir Tahiri ka reaguar menjëherë ndaj këtyre deklaratave. “Nga njëra anë, unë e kuptoj që lufta kundër drogës në këto dy vjet ka shqetësuar shumë njerëz. Ka shqetësuar më së paku botën e krimit. Dhe më vjen çudi si ka shqetësuar edhe opozitën! Dhe me këtë nuk dua të them që janë të lidhura me njëra-tjetrën, por rastësia dashka që kundër policisë të bëhen bashkë bota e krimit dhe opozita” tha ai. Ministrit të brendshëm  kujtoi se gjatë dy vjetëve kur zoti Basha ka qenë ministër i Brendshëm, ka shkatërruar gjithësej 58 mijë rrënjë kanabis. “Unë mbusha dy vjet ministër i Brendshëm dhe kemi shkatërruar mbi 1.3 milionë rrënjë kanabis. Tani më thoni ju, sa e vështirë është të kuptosh cili nga ne të dy mund të ketë pasur mundësi dhe mund të ketë më shumë mundësi të qenë i lidhur me botën e krimit, për të favorizuar kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike” tha zoti Tahiri.