KRYEFAQJA » LAJME » Basha: Do të ndihmojmë shqiptarët e Luginës së Preshevës
Basha priti sot kryetarin e komunës së Preshevës

Basha: Do të ndihmojmë shqiptarët e Luginës së Preshevës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti në një takim kryetarin e Komunës së Preshevës njëherësh kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa, të cilët pas takimit dhanë një prononcim të përbashkët për mediat.

Në fjalën e tij kryetari i PD-së, Basha u shpreh se  “Tema jonë edhe sot ka qenë gjendja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. U informova për investimin që po kryhet për zonën e lirë ekonomike, subvencionimin e fermerëve, përpjekjet titanike që po bëhen për t’iu ofruar një shërbim shëndetësor më të mirë në veçanti atë të maternitetit të Preshevës. Patriotizmi nuk shprehet vetëm me fjalë, madje kur shprehet vetëm me fjalë të çon në drejtimin e gabuar, veprat janë ato që flasin”.

Nga ana tjetër, Basha tha se e kam garantuar për mbështetjen time të plotë dhe të Partisë Demokratike për realizimin e objektivave strategjike të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, si në mbështetjen e studentëteve shqiptarë në Universitetin e Tiranës, por edhe në objektiva të tjera strategjikë për përmirësimin jo vetëm të cilësisë së jetës, por edhe të pozitave dhe të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.”.

Kryetari i komunës së Preshevës dhe  njëherësh kryetar i PDSH-së, Mustafa, pohoi se “Kemi këmbyer shumë mendime sot në lidhje me kapërcimin e gjitha situatave që prekin shqiptarët që prej përdorimit të lirë të simbolit kombëtar dhe identifikimin e shqiptarëve autoktonë në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë.  Po ashtu, për tekstet mësimore, për arsimin më të mirë shqip dhe në këtë drejtim jemi mirënjohës të paskajshëm sepse rinia jonë po shkollohet, po emancipohet dhe po ndërtohet edhe shkencërisht, por edhe me dije në Tiranë dhe në Republikën e Shqipërisë”.

“Shqipëria është në pozicion më të mirë të mundshëm për të ndihmuar shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe këtë drejtim falënderojmë kryetarin Basha që ka këtë gadishmërinë dhe përgjegjësi kushtetuese për shqiptarët jashtë troje të Republikës së Shqipërisë. Faleminderit kryetarë”, tha Mustafa. (Marrë nga ATSH)