KRYEFAQJA » LAJME » Basha pro Metës: Po takimit shumpalësh dhe qeverisë teknike
Basha: Po takimit shumpalësh dhe qeverisë teknike

Basha pro Metës: Po takimit shumpalësh dhe qeverisë teknike

Kreu i opozitës Lulzim Basha ka pranuar propozimin e kreut të parlamentit Ilir Meta për tu takuar me përfaqësues të shumicës dhe ndërkombëtarëve, për gjetjen e një zgjidhjeje për miratimin e Reformës në Drejtësi, ndërsa ka mbështetur edhe propozimin e tij për krijimin e një qeverie teknike. Zoti Basha e ka konsideruar këtë të fundit “si një domosdoshmëri për organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe për stopimin e krizës së gjithanshme të vendit”.
Në një reagim të publikuar në Fejsbuk, paraditen e së hënës, zoti Basha duket se është i kënaqur që LSI ka përkrahur një propozim të hershëm të opozitës. “Fakti që një parti qeveritare i bashkohet në mënyrën dhe autonominë e vet opsionit të opozitës, tregon qarte se kjo është rruga e vetme, në kushtet e degradimit ekstrem të qeverisjes, për një konkurim të lirë, të drejtë e të barabartë të partive në zgjedhje, duke e lënë vendimin në duart e sovranit” shkruan ai.
Duke nënvizuar përpjekjet dhe kontributin e deritanishëm të opozitës për arritjen e Reformës në Drejtësi, zoti Basha deklaron se “PD është e gatshme të marrë pjesë në këtë format takimi”. Sipas tij ajo do të “ekspozojë pa asnjë paragjykim apo prapamendim bazën ligjore të propozimeve të saj për vetingun, të negociojë zgjidhje që mundësojnë plotësisht rolin më aktiv të ndërkombëtareve në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit të Venecias”. Kreu i PD shpreh shpresën se “Zgjidhja është e mundshme dhe duhet të arrihet patjetër, me kontributin e të gjithëve, me forcën imponuese të argumenteve dhe largpamësisë, siç i ka hije përgjegjësisë politike, bashkëpunimit dhe parneritetit strategjik”.
Një ditë më parë bashkëkryetari i koalicionit qeveritar Ilir Meta, në cilësinë e kreut të parlamentit, propozoi një takim shumpalësh mes shumicë, opozitës dhe ndërkombëtarëve, në përpjekje për miratimin me konsensus të Reformës në Drejtësi. Ai tha se pas arritjes së këtij konsensusi dhe miratimit të reformës në parlament, duhej që të krijohej një qeveri teknike që vendi të shkonte drejt zgjedhjeve të pakontestuara. Zoti Meta tha se ishte i gatshëm të saktifikonte dhe të jepte edhe dorëheqjen nga posti i tij bashkë edhe me ministrat e LSI në qeveri.
Propozimi i Kreut të LSI u mirëprit nga ambasadorët Lu dhe Vllahuti. Kreu i PS dhe Kryeministri Rama ndër kaq u shpreh për gadishmërinë e takimit, por jo rreth propozimeve të tjera të zotit Meta. Në mbrëmjen e së dielës u njoftua një takim i tij në Durrës me zyrtarë të lartë të partisë dhe qeverisë, por nuk ka njoftime rreth temës së bisedës. Ndërkohë në Tiranë gjendet eurodeputeti Flekenshtajn, i cili është takuar me zotin Rama,  zotin Meta dhe zotin Basha.