KRYEFAQJA » LAJME » Basha: “Protestat do të vazhdojnë pa pushim”
Basha: Ndryshimet e Ramës në qeveri arnime korruptive

Basha: “Protestat do të vazhdojnë pa pushim”

Një ditë pas protestës së 8 dhjetorit, Ditës së Rinisë në Shqipëri, PD përsërit vendosmërinë e saj për vazhdimin e protestave. Kryetari i PD Lulzim Basha në një konferencë për shtyp tha se “vërshimi i shqiptarëve ishte mesazh i qartë i mbështetjes për PD-në dhe për planin e saj për largimin e krizës politike dhe ekonomike që ka pushtuar vendin”. “Protestat do të vazhdojnë pa pushim”, “mosbindja civile sapo ka nisur” tha zoti Basha.
Sipas kreut të opozitës “Qytetarët dhe biznesi kërkojnë zgjidhje. Dje në shesh ishin të dhunuarit, të cilëve u janë prishur shtëpitë dhe bizneset; ishin studentët, të cilët përjetuan mashtrimin e qeverisë që premtoi akses në arsim, por mbylli dyert e universiteteve, duke kaluar ligjin klientelist për arsimin e lartë; ishin të përndjekurit, të cilët u riposhtëruan nga Edi Rama, i cili ringriti simbole të diktaturës; ishin pronarët, të cilët nuk pranojnë dot kurrë ligjin e ri të shpronësimit; pensionistët, të cilët nuk shohin rritje pensionesh prej dy vitesh; të papunët, të cilëve u janë shtuar radhët nga tkurrja e ekonomisë; ishin socialistët e zhgënjyer nga fakti që familjen e tyre politike e kanë në dorë një grusht kriminelësh; ishte një popull i tërë dhe i falenderoj nga zemra”, tha zoti Lulzim Basha.
Lidhur me akuzat për akte dhune në protestën e opozotës, zoti Basha tha se “Partia Demokratike nuk distancohet sot nga aktet e dhunës sepse ka qenë dhe është e distancuar”. “Është falë PD-së që dje ai zemërim popullor u përmbajt, zemërim që mund të merrte përpara jo një kryeministri, por 10″ tha kreu i PD. “Gurët nuk ishin në skenarin tonë. Ndërhynë strukturat tona që gjithçka u normalizua. Nuk u prek asnjë fije floku e asnjë polici dhe jam krenar për këtë. Institucioni është policia” shtoi më tej ai.
I pyetur lidhur me gjobën e vënë nga Bashkia e Tiranës ndaj PD, zoti Basha u përgjigj në mënyrë ironike madje edhe fyese “Bashkisë do i çojmë një kastravec”.